Takimi me Lajçak, Vuçiç: Serbët në Kosovë përballen me tortura prej 15 vitesh

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi një vizitë në Beograd, pas asaj në Prishtinë.

Marketing

Synimi ishte i njëjtë, ulja e tensioneve mes palëve dhe rikthimi i tyre në tryezën e negociatave. Lajçak u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin diskutoi për situatën në veriun e Kosovës, mënyrat për të qetësuar tensionet në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Edhe një herë theksova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe persekutimeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre”, shkruan Vuçiç në profilin e tij në Instagram.

Lajçak ende nuk ka bërë një deklaratë lidhur me bisedimet me presidentin e Serbisë. Megjithatë pas takimeve me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, foli për një atmosferë pozitive lidhur me zbatimin e 3 pikave të propozuara nga BE për zgjidhjen e krizës në veri. Gjithashtu foli për sanksionet duke pohuar se nuk dëshiron që as Kosova dhe as Serbia të ndëshkohen, por kjo i mbetet në dorë liderëve dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian.