Rama për Ahmetajn: Kush ngatërron rrugën, nuk ndan përgjegjësi me mua

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për çështjen “Ahmetaj” pasi Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendësit të tij.

Marketing

Teksa iu drejtua qytetarëve me një video-mesazh, Rama tha se Ahmetaj ka qenë bashkëpunëtor i tij në qeveri, por theksoi se “kush ngatërron rrugën”dhe punon për shtetin dhe xhepin njëkohësisht, nuk e ndan përgjegjësinë me të.

Ai shtoi se nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar më, nëse këta të fundit “lëshojnë veten nga rruga e përbashkët”.

“Ndjesia lënduese herë e zhgënjimit dhe befasisë është e fortë dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe. Të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, ndaj e përsëris sot atë që kam stërthënë shumë herë që ditën e parë që kam hyrë në këtë godinë. Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin merrni një përgjegjësi që nuk e ndan as me mua, as me ne, por që duhet ta ndajë kur del para pasqyrës, me Zotin ose kur del edhe para drejtësisë. Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar kur ai lëshon veten nga rruga e përbashkët. Ndërsa të tjerëve që njihen si armiq të reformës në drejtësi, që janë në një garë të ethshme për gjak, për baltosjen tonë, u them se i mëshiroj për ulësinë e qenies së tyre dhe pres me padurim gjylet e baltës së tyre. Ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi janë turpi i këtij vendi dhe nuk habisin më askënd. Janë gjithnjë e më të humbur e të vrerosur në peshën e tyre. Kjo nuk është dita për të thënë dobësitë e organeve të drejtësisë, apo për të shprehur shqetësimet për ta. Ky det nuk kalohet pa u lagur edhe vetë”, u shpreh Rama.