Miçigan, akuza ndaj 16 elektorëve të rremë për zotin Donald Trump

Të martën Prokurorja e Përgjithshme e Miçiganit ngriti akuza kriminale kundër 16 republikanëve që vepruan si elektorë të rremë në vitin 2020 për presidentin e atëhershëm Donald Trump.

Marketing

Ata akuzohen se kishin dorëzuar certifikata të falsifikuara që konfirmonin se ishin elektorë legjitimë, pavarësisht fitores së demokratit Joe Biden në shtetin e Miçiganit.

Prokurorja e Përgjithshme Dana Nessel, demokrate, njoftoi të martën se të 16 personat do të përballen me tetë akuza penale, përfshirë falsifikim dhe komplot për të kryer falsifikim zgjedhor. Nëse gjenden fajtorë ata mund të dënohen nga pesë deri në 14 vjet burg secili.

Mes të akuzuarve janë edhe tre ish-zyrtarë të lartë të Partisë Republikane të Miçiganit.

“Veprimet e elektorëve të rremë minuan besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve. Ne besojmë gjithashtu se shkelën qartë ligjet me të cilat ne administrojmë zgjedhjet në Michigan”, tha zonja Nessel në një deklaratë.

Elektorët janë individë të caktuar për të përfaqësuar votuesit në zgjedhjet presidenciale. Fituesi i votës popullore në secilin shtet përcakton se elektorët e cilës parti dërgohen në Kolegjin Zgjedhor, i cili mblidhet në dhjetor pas zgjedhjeve për të vërtetuar rezultatin.

Sipas pretendimeve, grupi është takuar brenda selisë së atëhershme të Partisë Republikane në Michigan, më 14 dhjetor 2020, dhe kanë nënshkruar emrat e tyre në certifikata ku thuhej se ata ishin elektorët e kualifikuar për zotin Trump. Këto dokumente false më pas iu transmetuan Kongresit dhe Arkivit Kombëtar.

Janarin e vitit të kaluar, zonja Nessel kërkoi nga prokurorët federalë që të hapnin një hetim penal për 16 republikanët në fjalë.

Në shtatë shtete fushëbetejë, përfshirë Miçiganin, mbështetësit e zotit Trump nënshkruan certifikata që deklaronin në mënyrë të rreme se ai kishte fituar zgjedhjet në shtetet e tyre, dhe jo zoti Biden.

Certifikatat e rreme nuk u morën parasysh, por përpjekja e individëve në fjalë u është nënshtruar hetimeve, përfshirë nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e 6 janarit në Kongresin amerikan.

Certifikata të tilla të rreme u përdorën gjithashtu për të shpallur zotin Trump fitues në shtetet Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nju Meksiko, Nevada, Pensilvani dhe Viskonsin. /VOA