Putin: Moska do t’i kthehet marrëveshjes së grurit nëse kërkesat e saj plotësohen

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot vendet perëndimore për “shtrembërim” të marrëveshjes së eksportit të grurit të Detit të Zi, por siguroi se Rusia “menjëherë” do t’i kthehej asaj nëse kërkesat e saj do të përmbusheshin.

Marketing

“Ne do të shqyrtojmë mundësinë e kthimit (në marrëveshje), por me një kusht: nëse kërkesat ruse merren parasysh dhe zbatohen, pa asnjë përjashtim”, tha Putin në një takim të kabinetit të transmetuar në televizionin rus.

Në formën e saj aktuale, zgjatja e marrëveshjes nuk kishte kuptim, shtoi presidenti rus, duke akuzuar Perëndimin për përdorimin e marrëveshjes si një mjet “shantazhi politik”. “Në vend që të ndihmonte vendet në nevojë reale, Perëndimi e përdori marrëveshjen për shantazh politik dhe e ktheu atë në një mjet për pasurimin e shumëkombësheve, spekulatorëve në tregun botëror”, tha ai.

Më herët sot, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë paralajmëroi se të gjitha anijet e destinuara për në portet e Ukrainës do të konsiderohen transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake.

Çmimi i grurit në bursën Euronext u mbyll sot me një rritje prej 8.2%, në 253.75 euro për ton, duke u rikthyer kështu në nivelin ku ishte në fillim të muajit prill. Çmimi i misrit u mbyll pak nën pragun prej 250 euro për ton, duke u rritur me 5.4%.