Familja shqiptare nga Gostivari terrorizohet në Serbi vetëm se djali kishte bluzë me shqiponjë

Përveç shtetasve të Kosovës, policia serbe ka nisur t’i terrorizojë edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kalojnë transit nëpër Serbi.

Marketing

Siç ka shkruar gazeta KOHA në Maqedoni, me një përvojë të tillë është përballë së fundmi një familje shqiptare nga Gostivari, burrë e grua dhe djali i mitur, që në Beograd ishin ndaluar nga Policia e ishin marrë në stacion vetëm pse djali i mitur kishte bluzë me shqiponjë.

Policia kishte mbajtur familjen për një natë dhe e ka dënuar me 30 mijë dinarë si dhe e ka shpallur “non-grata” deri në vitin 2031, sipas raportimit.

Për rastin ka reaguar ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja. Ai ka thënë se kjo është e tmerrshme, por ka deklaruar se s’është i habitur.

“Një shqiptare u ndalua dhe u detyrua të paguante gjobë në Serbi vetëm se djali i saj nëntëvjeçar kishte një bluzë me shqiponjën kuq e zi. Vërtetë e tmerrshme, por jo e habitshme për shumë prej nesh, përveç atyre që ende besojnë në politikën paqësore të Vuçiqit”, ka shkruar Qehaja në Twitter të enjten.

Për rastin ka komentuar edhe gazetari Enver Robelli. Ai ka thënë po që se kjo ngjarje të ndodhte nga Policia e Kosovës, Shqipërisë apo e Maqedonisë së Veriut “propaganda gebelisiane e Beogradit do ta çonte peshë mbarë botën dhe do të kërkonte mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit”.

Ai ka thënë se shtetet shqiptare duhet të protestojnë kundër terrorit serb.
“Shqiptarët kanë dy shtete në Ballkan dhe kontrollojnë disa nga ministritë më të rëndësishme në qeverinë në Shkup. Do të ishte e udhës që kjo fuqi politike të shprehet përmes një proteste të qartë kundër terrorit serb ndaj familjeve shqiptare. Shqiponja është simbol nacional shqiptar. Flamuri me shqiponjë valon në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd. Athua çfarë problemi ka policia kriminale serbe dhe drejtësia kriminale serbe dhe politika kriminale serbe me shqiponjën? Kanë një problem: me ekzistencën e shqiptarëve! Duan t’i zhdukin. Meqë s’mund t’i zhdukin, i terrorizojnë shqiptarët kudo ku munden”, ka shkruar ai në Facebook.

Janë regjistruar tashmë dhjetëra raste që familje kosovare rrugës tranzit në Serbi maltretohen në forma të ndryshme. Në disa raste madje Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka rekomanduar mërgimtarëve që sa më shumë që munden të shmangin rrugën tranzit kah Serbia.