Kovaçevski me urim për fillimin e vitit shkollor: Investojmë në shkolla bashkëkohore, në arsim dual për përshtatje të suksesshme në tregun e punës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot ka vizituar Qendrën Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional SHMSH “Kiro Burnaz”, në Komunën e Kumanovës. Me Kryetarin e Qeverisë ishin edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Kjo shkollë në vitin 2021 u bë qendër rajonale për dy drejtime, atë bujqësor, veterinar dhe teknologjik-kimik dhe që atëherë numri i nxënësve është rritur dukshëm.

Marketing

Përveç këtyre drejtime janë hapur edhe të reja si shëndetësia, komunikacioni, shërbimet personale. Në këtë qendër bashkëkohore rajonale janë investuar rreth 3 milionë euro, nga të cilat 2 milionë për rikonstrim dhe 1 milionë për blerje të pajisjeve bashkëkohore. Punëtoritë dhe laboratorët që janë pjesë e shkollës janë rinovuar dhe pajisur me pajisje të reja, të cilat u mundësojnë nxënësve të kryejnë një pjesë të mësimit praktik në shkollë, por edhe në kompanitë përkatëse nga rajoni.

Kryeministri Kovaçevski ju dha mbështetje nxënësve, të cilët e shohin të ardhmen e tyre në arsimin dual dhe i ka inkurajuar se kjo do të thotë punë dhe e ardhme e sigurt për ta.

“Më vjen shumë mirë që sot jam në një shkollë të mesme profesionale në Kumanovë, me paralele me arsim dual dhe që interesimi i nxënësve për këtë shkollë është shumë i madh. Nga sa më tha drejtori dhe mësuesit e tjerë, numri më i madh i nxënësve regjistrohen në arsimin dual. Këtu ka disa drejtime të arsimit dual nga drejtimi ushqimor, blegtoria dhe veterinaria, tashmë po punohet për vendosjen e drejtimit për makineri për trajnimin e nxënësve, si dhe profesione të tjera. Nxënësit, në kompanitë që kanë lidhur kontrata me shkollën dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kanë mundësi të mësojnë jo vetëm mësim teorik, por edhe mësim praktik. Në këtë mënyrë, që nga dita e parë e shkollimit, ata kanë mundësi të përfshihen në proceset e punës, dhe të bëhen shumë më konkurrues në tregun e punës në raport me kolegët e tyre”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut investon përpjekje dhe përkushtim maksimal për të krijuar politika dhe strategji afatgjata që do të çojnë në përparimin e përgjithshëm të procesit arsimor dhe në këtë mënyrë edhe të shoqërisë sonë. Kjo strategji është edhe rritja e atraktivitetit dhe interesimit të të rinjve për t’u regjistruar në arsimin e mesëm profesional.

“Qeveria po bën vërtet shumë përpjekje për të përmirësuar arsimin. Sido që të jetë, ne nuk jemi një vend si vendet e Evropës Perëndimore dhe ato në SHBA, të cilat pas pavarësimit të tyre siguruan një sistem në të cilin gjithçka ishte perfekte. Ju e dini që 32 vjet më parë ne siguruam pavarësinë e shtetit dhe që atëherë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të gjitha institucionet po punojnë për përmirësimin e procesit arsimor dhe mjediseve arsimore ku zhvillohet mësimi. Shembulli më i mirë se si duhet të duket një objekt arsimor është kjo shkollë”, theksoi Kovaçevski.

Duke ju uruar suksese nxënësve dhe mësimdhënësve, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri theksoi se viti shkollor fillon me më shumë tekste të reja në arsimin fillor dhe të mesëm profesional, rreth 50 objekte të rikonstruktuara dhe disa objekte të reja shkollore, si dhe paralajmërimin për paga më të larta për punonjësit e arsimit.

“Le ta përmbyllim vitin e ri shkollor me më pak sfida dhe rezultate më të mira. Të gjithë të angazhohemi. Na nevojitet mbështetje nga familjet e nxënësve, mësimdhënësit, organizatat e shoqërisë civile, komuniteti i biznesit dhe të gjithë aktorët shoqërorë në përgjithësi, sepse në fund të fundit se çfarë lloj gjeneratash do të krijojmë nuk varet vetëm nga një faktor, apo nga një palë e interesuar, por nga të gjithë ne. Në ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet një institucion i hapur për bashkëpunim dhe ne do të mundohemi të jemi në lartësinë e detyrës, duke ndjekur gjithmonë interesat më të mira të të rinjve”, tha ministri.

Shaqiri përkujtoi se viti shkollor do të zgjasë deri më 17 qershor dhe për herë të parë, në shembullin e vendeve më të zhvilluara në Evropë, po prezantohet pushimi pranveror që do të zgjasë nga 29 prilli deri më 5 maj. Ai gjithashtu bëri të ditur se në bankat e shkollës janë mbi 250 mijë nxënës, prej të cilëve rreth 20 mijë janë nxënës të klasës së parë.

Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional SHMSH “Kiro Burnaz”, Vesna Trajkovska tha:

“Reformat e deritanishme kanë dhënë rezultate vërtet të mëdha. Numri i nëxnësve krahasuar me vitet e kaluara është rritur për 80%. Të gjitha klasat e vitit të parë janë duale dhe ne kemi siguruar që secili nxënës të realizojë mësimin përmes punës në një kompani. Faleminderit Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që na lejuan të bëhemi nga një shkollë e mesme në një qendër shkollore rajonale, që nuk ekziston në vendin tonë dhe të bëhemi lider në reformat në procesin arsimor. ”