SEFF: Konvergjencë përmes rritjes së përshpejtuar ekonomike

Bashkimi Evropian është si makinë për konvergjencën e ekonomive në zhvillim – ekonomive të zhvilluara edhe atë në një periudhë të shkurtër prej një ose dy dekadash. Kjo është kryesisht për shkak të injektimit të mjeteve përmes fondeve strukturore, por edhe mundësive të reja që po ofrohen përmes investimeve, ndryshimeve strukturore dhe qasjes në tregun e vetëm. Për konvergjencë më të shpejtë të rajonit drejt të hyrave mesatare për banor në BE, duhet inkurajuar zhvillimi i ekonomisë së gjelbër dhe modeli i biznesit të gjelbër, duhet të inkurajohen investimet, veçanërisht sa i përktet lidhjes dhe infrastrukturës, si dhe përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Stabiliteti makroekonomik nuk do ta përshpejtojë konvergjencën, por sigurisht pa stabilitet nuk mund të ketë rritje. Këto ishin porositë kryesore të panelit të dytë të Forumit Ekonomik dhe Financiar të Shkupit “Tregjet, institucionet dhe prosperiteti ekonomik”.

Marketing

Paneli u moderua nga zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i cili iu referua rëndësisë së integrimit evropian për përshpejtimin e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe rëndësisë së kapitalit njerëzor për përmirësimin e konkurrencës së ekonomive. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga ana tjetër theksoi se lidhja mes tyre duhet të fillojë fillimisht në nivel nacional, pastaj në nivel rajonal dhe në atë të BE-së, si dhe se zhvillimi i vendeve duhet të vihet gjithmonë në plan të parë para çdo aspekti. Bekteshi theksoi gjithashtu se qasja strategjike ka rëndësi kruciale në arritjen e qëllimeve afatgjata, gjegjësisht edhe pse ndryshojnë administratat, interesat strategjike duhet të jenë gjithmonë të njëjta në interes të zhvillimit të vendeve.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, duke folur për sinergjinë në performancën e përbashkët dhe lidhjen e rajonit, theksoi se me kërkesë të përbashkët dhe performancë të koordinuar nga vendet e rajonit, BE-ja e ka përfshirë Korridorin 8 në një ndër korridoret kryesore evropiane.

Duke folur për konvergjencën e vendeve të rajonit, u theksua se, megjithëse në fillim të viteve 2000, rajoni përparoi më shpejt drejt mesatares së BE-së, pas krizës ekonomike globale, zhvillimi u ngadalësua. Thomas Bocek, zëvendësguvernatori i Këshillit të Evropës, si dhe Matteo Kolngeli, drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, theksuan nevojën për t’i përforcuar investimet në infrastrukturën publike, arsimin, fuqinë punëtore me fokus social, ndërsa shefi i Zyrës së BEI-së në vend, Björn Gabriel vuri në dukje rëndësinë e energjisë së gjelbër dhe përkrahjen për sektorin e biznesit, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Nga aspekti zhvillimor, Zhivko Mukaetov po ashtu theksoi përparësitë për kompanitë eksportuese në vendet anëtare të BE-së në krahasim me vendet tjera, duke theksuar se anëtarësimi në BE do të kontribuojë në nxitjen e eksportit të brendshëm. Jack Minan, kreu i misionit të FMN-së, theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik për zhvillimin ekonomik, ruajtjen e nivelit të ulët të deficitit buxhetor dhe gjithashtu ruajtjen e komponentit zhvillimor të buxhetit. Ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Ivailo Izvorski gjithashtu i theksoi investimet si forcë lëvizëse për konvergjencë dhe zhvillim dhe potencoi se ato mund të arrihen me investime në kapitalin njerëzor dhe dixhitalizim për ta përshpejtuar rritjen ekonomike.