A do ta pranojë Artan Grubi sfidën e Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove?!

Zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi heshtë ndaj sfidës së kreut të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i cili ditë më parë në Alsat tha se është i gatshëm të mbështet një zgjidhje ligjore e cila do të çonte në mbyllje të plotë të kazinove, sikur në Kosovë dhe Shqipëri. Grubi nuk u përgjigj në pyetjet e Alsat nëse është i gatshëm ai, subjekti i tij dhe Qeveria të zbatojnë praktikën e dy vendeve fqinje dhe të mbyllin kapitullin me Lojërat e Fatit. Mexhiti kërkoi nga Grubi që si fillim të heq dorë nga Lotaria Shtetërore dhe të procedojë në Kuvend ligjin për mbylljen e kazinove plotësisht.

Marketing

“Dua ta sfidoj publikisht, nëse e ka me gjithë mend le të jep dorëheqje nga drejtoria e Lotarisë, nuk na duhet ajo drejtori dhe me ligjin e sfidoj që t’i mbyllim krejtësisht kazinotë ashtu si në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo të bisedojmë 3 vite për t’i largu kazinotë 500 e në ndërkohë t’i sjellim edhe tre zinxhirë të tjerë”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Nga BDI ditë më parë akuzuan opozitën shqipt.are se po lobon në favor të mos largimit të kazinove 500 metra nga objektet fetare dhe arsimore. Sipas kësaj partie, asnjë kompani bullgare ashtu siç pretendon opozita maqedonase nuk do ta fitojë tenderin që është në rrjedhë e sipër e që i referohet organizimit dhe kontrollimit të lojërave të fatit online.

Nga BDI këmbëngulin se propozim-Ligji për Lojërat e Fatit do të miratohet dhe me këtë do të bëhet de monopolizimi i lojërave të fatit dhe çrrënjosja e tregut ilegal. VMRO-DPMNE-ja akuzon se me zgjidhjen ligjore, Grubi dhe bashkëpunëtorët e tij të vendosur nëpër borde drejtuese të dhe mbikëqyrëse po tentojnë që në Maqedoni të Veriut të fusin në treg të lojërave të fatit njeriun i cili sipas tyre është mafioz dhe gjendet në listën e zezë amerikane që nga vitit 2021.

Të martën, pushteti tentoi që pa praninë e opozitës ta kalojë në Komisionin për Çështje Evropiane propozim-Ligjin për lojërat mbi të cilin është vendosur flamuri i BE-së. Përpjekja e pushtetit dështoi për shkak se në sallë u paraqitën deputetët e opozitës të cilët nuk lejuan një veprim të tillë. /Alsat.mk