Këngëtarja Xhensila Myrtezaj dhe aktori Besart Kallaku janë bërë prindër për herë të dytë, këtë herë me një djalë.
Lajmi u bë i ditur nga një postim i çiftit në Instagram, në një foto ku duket dora e bebit. Krahas fotos dyshja kanë treguar një detaj shumë të veçantë ndërsa kanë shprehur emocionet e tyre.
Xhensila ka zbuluar se vogëlushi ka ardhur në jetë në datën 11.11 (pra 11 nëntor) dhe në orën 11:11 AM, një rast ky shumë i rrallë, por akoma më i veçantë është emri që i kanë vendosur, Amen.
“Çfarë rrugëtimi kemi pasur të dy së bashku në 9 muaj biri im… Vetëm ne të dy në çdo vështirësi brenda 1 trupi. Ti i tregove mamit forcën tënde, e unë mora forcë vetëm nga ti. Që tani e shikoj madhështinë tënde biri im. Misioni më i bukur i jetës sime është lumturia jote dhe e motrës tënde. Lutja ime për Ajkën dhe ty është t’i keni duart e bashkuara gjithë jetën, të frymëzoni zemrat e njerëzve si motra dhe vëllai më i mirë për njëri-tjetrin. Të rritesh i fortë në shpirt biri im, paç vullnetin për të bërë gjithçka në rrugën e Zotit. Amen…”, ka shkruar Xhensila.
Edhe Besi ka shkruar disa fjalë të bukura në Instagram për vogëlushin, duke shpjeguar kuptimin e emrit Amen.
“Ashtu si mbyllet fundi i çdo lutjeje me Amen, ashtu u mbyllën dhe ditët e pritjes tendë Amen!!! Ashtu qoftë, është kuptimi i fjalës Amen, në dakortësi me Zotin për ty, ashtu qoftë! Për çdo Haleluja ka një Amen, për ty Amen ka një Haleluja”, ka shkruar Besarri.
Kujtojmë që lajmin për shtatzaninë e ka bërë të ditur Xhensila në një video të shkurtër të ditëlindjes së vajzës së tyre, Ajkës, teksa ajo dhe Besi i puthin barkun Xhensilës duke konfirmuar kështu se bukuroshja është sërish shtatëzanë.