Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se beson që Hamasi do të lirojë më shumë nga 240 pengjet që mori në Gaza në sulmin e tij muajin e kaluar.
Vetëm katër janë liruar deri më tani, por Biden, i cili është i përfshirë në diskutimet e përditshme për lirimin e pengjeve, tha se ka besim se ata do të lirohen.
“Mbahuni të fortë, ne po vijmë”, tha ai kur u pyet nga gazetarët se cili është mesazhi i tij për familjen e pengjeve.
Pas komenteve të Bidenit, Shtëpia e Bardhë tha se këshilltari më i lartë i presidentit për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, po shkon në rajon për bisedime në Izrael, Bregun Perëndimor, Arabinë Saudite, Katar dhe vende të tjera.
“Në Izrael, ai do të diskutojë nevojat e sigurisë së Izraelit, imperativin e mbrojtjes së civilëve gjatë operacioneve ushtarake, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar lirimin e pengjeve dhe nevojën për të frenuar kolonët e dhunshëm ekstremistë në Bregun Perëndimor”, tha Shtëpia e Bardhë.