Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Shoqatën për kulturë “Reka e Epërme” nga Gostivari, organizuan tryezë të rrumbullakët, me temë: “Ringjallja dhe e ardhmja e Rekës së Epërme”.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, në fjalimin e tij theksoi se, Reka e Epërme, si zonë me bukuri mahnitëse dhe me histori mbresëlënëse e tragjike, ka qenë gjithmonë në vëmendjen e drejtuesve të Universitetit të Tetovës. “Reka e Epërme është zonë me veçanti të theksuara etnografike dhe shumë e rëndësishme për qenësinë shqiptare, sepse na zgjon kujtime trishtuese. Sepse na e ngacmon ndërgjegjen për t’i kushtuar sa më shumë vëmendje asaj, si dhe personaliteteve që botuan abetare, edhe libra e revista në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Le të përmendim disa aktivitete të Universitetit të Tetovës që lidhen me Rekën e Epërme. Me nismë e profesor Vullnet Ametit para disa vitesh u organizua marshi për Josif Bagerin; Universiteti i Tetovës e botoi monografinë “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, të shqiptarit “shumëlavdor” Branisllav Sinadinovskit. Në kuadër të Universitetit tonë funksionin Instituti “Josif Bageri”. Poashtu, Rekës së Epërme iu kushtua një numër i veçantë në revistën “Philosophica” dhe u botua edhe një broshurë për veçantitë arkitekturore të Rekës së Epërme e shumë aktivitete të tjera”, u shpreh Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Ndërsa, përfaqësuesi i Shoqatës “Reka e Epërme”, Tafë Ameti bëri një retrospektivë të të gjitha aktiviteteve dhe veprimtarisë së tyre. Shoqata për kulturë “Reka e Epërme” ishte një iniciativë e mërgimtarëve tanë me punë të përkohshme në shtetet e Evropës Perëndimore në krye me Kryetarin aktual të shoqatës, Ismail Murati. Kjo iniciativë u përkrahë nga intelektualët dhe biznesmenët rekali që jetojnë dhe veprojnë në Gostivar dhe me datë 16.03.2014, në Hotelin “Ignatia” në Gostivar u formua edhe Këshilli iniciues. Sa u përket organizimeve, vlen të theksohet organizimi i 8 edicioneve të “Takimeve të Rekës së Epërme”, çdo herë në fund të muajit korrik dhe fillimi i muajit gusht, kur pjesa më e madhe e bashkëvendësve tanë ndodhen në pushime vjetore në vend. Manifestimi përfshin dy aktivitete, organizimin e marshit nëpër vendet dhe majat e bukura të maleve të Korabit, Bistrës dhe Sharrit, me pjesëmarrje të shoqatave malore të vendit dhe të regjionit dhe dashamirë të natyrës si dhe Manifestimi qendror, me pjesëmarrje masive të të gjithë rekalinjëve dhe më gjerë, sidomos të fshatrave të Shkupit dhe të Velesit me prejardhje nga kjo anë”, tha mes tjerash përfaqësuesi i Shoqatës “Reka e Epërme”, Tafë Ameti.
Në vijim të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit në panel paraqiten punimet e tyre. Prof. Dr. Fehari Ramadani elaboroi mbi temën: Shqiptarët ortodoksë të Krahinës së Rekës përballë politikave asimiluese të vendeve fqinje (shek XIX – fillimi i shekullit XX:); Prof. Dr. Fatmir Sulejmani trajtoi temën: “Ringjallja dhe e ardhmja e Rekës së Epërme” dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi foli mbi Rekën e Epërme dhe banesat e Rekës së Epërme.
Në shenjë respekti për bashkëpunimin me Universitetin e Tetovës, kryetari i Shoqatës për kulturë “Reka e Epërme”, Ismail Murati ndau mirënjohje për prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu dhe Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ametin.
Kryetarit të Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti mirënjohja iu nda për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në sferën e arsimit dhe për përkrahjen e pareshtur për afirmimin e vlerave historike, etnografike, folklorike dhe gjuhësore të Rekës së Epërme. Disa nga aktivitetet të cilat ai i ka mbështetur janë: Marshi për Josif Bagerin, Botimi i librit “Shqiptarët ortodoksë”, themelimi i Institutit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar “Josfi Bageri”. Po ashtu, në kuadër të institutit janë organizuar simpoziumi për shqiptarët ortodoksë dhe simpoziumi për Rafi Halilin dhe botimi i dy numrave special të revistës “Philosophica”. Gjithashtu, në shenjë respekti reciprok, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryetarit të Shoqatës “Reka e Epërme” Ismail Muratit ia ndau logon e Josif Bagerit. Ky aktivitet u përmbyll me një performancë nga artistet e Rekës së Epërme.