Në kuadër të përgatitjeve për fushatën e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe atyre parlamentare të 8 majit, Alternativa ka vazhduar takimet me qytetarë dhe aktivistë, duke u ndalur kësaj radhe në Çair të Shkupit.
Në një atmosferë fitoreje, diskutuam bashkë me çairasit për aktualitetin politik, rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve dhe ndryshimit që na pret pas 8 majit.
Kryetari i partisë, Afrim Gashi, theksoi se janë plotësuar të gjitha parakushtet që të arrihet fitorja e shumëpritur e koalicionit VLEN në këto zgjedhje parlamentare.
“Ky proces është përtej partive. Kjo fitore nuk bëhet për një parti, as për një koalicion. Bëhet për të mirën e të gjithë qytetarëve, të shqiptarëve të këtij vendi. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë, për shpresën tonë, për fëmijët e tanë. Ne duhet të bëjmë çmos që ta rikthejmë shpresën, që njerëzit të qëndrojnë këtu, të mund të jetojnë në shtëpitë e tyre”, tha Gashi.
Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, tha para qytetarëve dhe aktivistëve se opozita shqiptare ka tejkaluar veten dhe dallimet mes vete për të arritur një interes më të madh kundër një zullumi më të madh ndaj shqiptarëve.
“E kemi tejkaluar veten dhe e kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit për shkak se ka nevojë ta fitojmë mikun e Aleksandar Vuçiqit dhe vëllain e Aleksandar Sorosit”, tha Ibrahimi.
Nënkryetari i Alternativës, Bekim Sali, nënvizoi se ne si parti e dimë shumë mirë se sa është e rëndësishme beteja kundër të keqes së përgjithshme, duke bërë thirrje që kjo betejë të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare.
“Një dekadë jemi këtu, një dekadë pa ndërprerë kemi bërë betejë. Në moment të caktuara kemi pasur dëshpërime, shpifje, përçarje, demotivime, por ne jemi ende këtu”, tha Sali.
Kryetari i Degës së Alternativës në Çair, Faton Fazliu, theksoi se të gjithë aktivistët nga Çairi nuk do të lënë gur pa lëvizur e shtëpi pa trokitur për ta bërë të mundur fitoren e 8 majit.
“Ju ftoj të flasim me një zë. Sot jemi të motivuar, dhe të bindur se ndryshimet kanë filluar dhe nuk ka kush t’i ndal. Kthim mbrapa nuk ka!”, tha Fazliu.
Alternativa do të vazhdojë takimet me aktivistët e saj dhe qytetarët, duke marrë frymëzim nga ata për fitoren historike që na pret më 8 maj.