Pendarovski rikandidohet për president: Kam mandat pas vetes pa asnjë gabim strategjik

Dy ditë para kongresit të LSDM-së, kur duhet të vendoset kandidati për president, Stevo Pendarovski ka shpallur kandidaturë civile edhe për një mandat për kryetar të shtetit dhe nga 3 marsi do të mbledhë 10,000 nënshkrime nga qytetarët. Pendarovski potencoi se arsyeja kryesore pse ai kandidon, është se ka një mandat pas vetes pa asnjë gabim strategjik. Ai përsëriti qëndrimet e tij të njohura se Marrëveshja Kornizë, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë ishin përfitim për qytetarët dhe shtetin.

Marketing

“Ka kandidatë që mbrojnë apo shpallin anulimin e Marrëveshjes Kornizë, Prespës dhe Bullgarisë. Marrëveshja kornizë forcoi dhe nuk cenoi kohezionin e brendshëm në Maqedoni. Kryesisht falë asaj u bëmë kandidat për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Prespës mundësoi hyrjen në NATO dhe konfirmoi ekzistimin e gjuhës maqedonase. Marrëveshja me Bullgarinë nuk u kontestua për tre vjet dhe më pas u bë problem kur Bullgaria filloi të kërkonte arsyet e bllokadës, të cilat nuk janë në vetë marrëveshjen.”, – deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.

Pendarovski gjithashtu tha se është kundër idesë që presidenti të zgjidhet në Kuvend.