Vuçiq uron Maduron për fitoren në zgjedhje, e falënderon për mosnjohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka uruar të martën Nicolas Maduron për fitoren e kontestuar në zgjedhjet presidenciale në Venezuelë.

Marketing

Në një deklaratë, Vuçiq tha se “kohët në të cilat jetojmë janë të vështira”, dhe falënderoi Maduro që nuk e ka njohur Kosovën.

Maduro shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës, por opozita në Venezuelë pretendon se zgjedhjet ishin vjedhur. Opozita është duke mbajtur protesta të mëdha, gjatë të cilave policia është paleshur me demonstruesit.

Derisa një numër vendesh nga e gjithë bota dhe nga Amerika e Jugut u bënë thirrje autoriteteve venezuelase që ta tregojnë në mënyrë transparente rezultatin e votimit, duke shprehur dyshime për besueshmërinë e rezultatit zyrtar, Maduro u urua, ndër të tjera, nga Kina, Rusia dhe Kuba.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha më 29 korrik se Shtetet e Bashkuara janë “seriozisht të shqetësuara që rezultati i shpallur i zgjedhjeve nuk pasqyron vullnetin, ose votat e popullit venezuelas”.

Blinken u bëri thirrje autoriteteve zgjedhore të publikojnë rezultatet e detajuara të zgjedhjeve.

Përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është e rëndësishme të “sigurohet transparencë e plotë në procesin zgjedhor, duke përfshirë një numërim të detajuar të votave dhe qasje në të dhënat e votimit në qendrat e votimit”.

 

Marketing