Tre amerikanë në mesin e të liruarve nga burgjet ruse në një këmbim historik të burgosurish

Tre shtetas amerikanë dhe një person me leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, janë në mesin e 16 të burgosurve politikë që u liruan nga burgjet ruse në një këmbim të madh të burgosurish që ndodhi të enjten ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Marketing

Në mesin e të burgosurve të liruar janë gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.

Ky këmbim po cilësohet si historik pasi është më i madhi i këtij lloji mes Uashingtonit dhe Moskës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Këmbimi u mundësua përmes një marrëveshjeje mes një numri shtetesh të tjera dhe pas vitesh negociatash të fshehta, të zhvilluara prapa skenave megjithë marrëdhëniet e acaruara mes SHBA-së dhe Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë.

Është hera e parë që një marrëveshje e tillë për këmbim të burgosurish përfshin edhe lëshime të mëdha nga shtetet e tjera, respektivisht nga shtatë shtete që ranë dakord të lirojnë 24 të burgosur.

Presidenti amerikan Joe Biden, i shoqëruar nga familjet e të burgosurve amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, falenderoi aleatët që qëndruan pranë Shteteve të Bashkuara, siç tha ai, “gjatë negociatave të vështira dhe të ndërlikuara për të arritur këtë rezultat.” Zoti Biden veçoi Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë.

“Ky është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kemi miq në këtë botë, të cilëve mund t’u besosh dhe tek të cilët mund të mbështetesh. Aleancat tona i bëjnë amerikanët më të sigurtë”, shtoi ai.

Ai tha se brenda disa orësh shtetasit amerikanë do të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Këmbimi i të burgosurve u bë në Turqi. Presidenti Biden dhe familjarët e të burgosurve amerikanëve biseduan me telefon me ta nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Krahas këtyre u liruan nga Rusia edhe12 të burgosur të tjerë, 5 gjermanë dhe 7 rusë. Ata u këmbyen me tetë individë që ishin duke vuajtur dënime me burg në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Slloveni, që u kthyen në Rusi.

Presidenti Biden tha se marrëveshja që siguroi lirimin e tyre “ishte rezultat i diplomacisë” dhe tha se në mesin e të liruarve “ka gra dhe burra që janë mbajtur padrejtësisht me vite.”

“Të gjithë kanë kaluar nëpër vuajtje të paimagjinueshme dhe pasiguri. Sot agonisë së tyre i erdhi fundi,” deklaroi Presidenti Biden.

Ai më tej tha se do të vazhdojë angazhimin “derisa çdo amerikan që është i arrestuar padrejtësisht, apo që mbahet peng në botë të ribashkohet me familjen e vet.”

Presidenti Biden tha se administrata e tij deri më tani ka siguruar kthimin e mbi 70 amerikanëve të tillë.

“Sot, po festojmë kthimin e Paulit, Evanit, Alsus dhe Vladimirit dhe po marrim pjesë në gëzimin e familjeve të tyre,” deklaroi ai. “I kujtojmë të gjithë ata që po mbahen padrejtësisht… dhe ua konfirmojmë familjeve të tyre zotimin tonë: Ju shohim. Jemi me ju dhe nuk do të ndalemi së punuari që t’i kthejmë të dashurit tuaj në shtëpi, aty ku e kanë vendin”.

Reagime për lirimin e gazetarëve Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmasheva

Gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovich dhe gazetarja e Evropës së Lirë Alsu Kurmasheva u burgosën të dy në 2023 dhe u dënuan në gjyqe të veçanta në 19 korrik, të cilat u dënuan gjerësisht si procese të manipuluara.

Paul Becket, zëvendës redaktor në “Wall Street Journal” i cili drejtoi fushatën e gazetës për të siguruar lirimin e zotit Gershkovich i tha Zërit të Amerikës të enjten se lajmi i lirimit kishte nxitur tek ai një larmi emocionesh.

“Gëzim, mirënjohje, lot, të qeshura, të gjitha bashkë”, tha ai. “Jemi shumë të lumtur për Evanin”.

Pasi punoi për çështjen e zotit Gershkovich për 16 muaj, zoti Becket tha se mezi priste ta takonte gazetarin, për herë të parë. “Do i them, gëzohem që të njoh”, tha ai.

Zoti Gershkovich u burgos në mars 2023 nën akuzat për spiunazh që u cilësuan gjerësisht si të pabaza dhe të motivuara politikisht.

“Ndihemi të lehtësuar dhe të gëzuar për Evanin dhe familjen e tij, si dhe për persona e tjerë që u liruan,” thanë në një deklaratë Almar Latour, botues i Wall Street Journal dhe kryeredaktorja e gazetës, Emma Tucker. “Fatkeqësisht, shumë gazetarë mbeten të burgosur padrejtësisht në Rusi dhe në mbarë botën”.

Alsu Kurmasheva është redaktore në Shërbimin Tatar të radios simotër të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë. Ajo ka kombësi amerikano-ruse dhe udhëtoi në Rusi në maj të 2023 për t’u kujdesur për nënën e sëmurë.

Kur ajo u përpoq të largohej në janar 2023, autoritet i konfiskuan pasaportat. Ajo priste që t’i ktheheshin pasaportat kur u arrestua rreth katër muaj më vonë.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk kishte deklaruar se ajo po mbahej në mënyrë të paligjshme. Një zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës se megjithatë zonja Kurmansheva u bë pjesë e negociatave pak kohë pas arrestimit dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gezuara që e kthyen atë në shtëpi. Përmes një deklarate Radio Evropa e Lirë mirëpriti lirimin e zonjës Kurmasheva.

“Alsuja u vu nën objektiv sepse ishte gazetare amerikane, e cila thjesht po përpiqej të kujdesej për një familjar të sajin brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë të gabuar dhe nuk meritonte trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga familja e dashur dhe kolegët”, tha në deklaratë Stephen Capus, presidenti i Radios Evropa e Lirë.

“Lirimi i Alsusë na bën edhe më të vendosur për të siguruar lirinë e tre gazetarëve të tjerë të Radios Evropa e Lirë”, shtoi zoti Capus. Dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë janë aktualisht të burgosur në Bjellorusi dhe një në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) që mbikqyr Evropën e Lirë dhe Zërin e Amerikës mirëpriti lirimin e zonjës Kurmasheva.

“Është një lajm i jashtëzakonshëm dhe shpreh mirënjohje të thellë për cilindo që mbështeti dhe bëri thirrje për lirimin e Alusë. Gazetaria nuk është krim. Jam shumë e lumtur që më në fund Alsuja do të mund të kthehet në shtëpi tek njerëzit e dashur dhe të mbyllë këtë kapitull të dhimbshëm”, tha Shefja Ekzekutive e USAGM-së, Amanda Bennett.

Bashkëshorti i gazetares, Pavel Butorin, tha se që nga arrestimi i saj, shqetësimi i tij kryesor kishn qenë vajzat e tyre.

Megjithëse lajmi për këmbimin e të burgosurve u prit me bujë, ai do të nxisë edhe shqetësime. Ndërkohë që Rusia po liron gazetarët, disidentët dhe të tjerë të dënuar përmes sistemit të saj të politizuar të drejtësisë, individët që lirohen në këmbim të tyre konsiderohen nga Perëndimi si të dënuar me të drejtë.

Pala ruse mori në këmbim Vadim Krasikovin, i dënuar në Gjermani në vitin 2021 për vrasjen e një ish kryengritësi çeçen në një park në Berlin, në mes të ditës dhe vetëm disa minuta larg parlamentit gjerman dhe zyres së kancelares gjermane të atëhershme Angela Merkel, me gjasë me urdhërat e shërbimit rus të zbulimit.

Qeveria gjermane tha të enjten se lirimi i atentatorit Krasikov nuk ishte vendim i lehtë.

“Detyrimi ynë të mbrojmë shtetasit gjermanë dhe solidarizimi me SHBA-të ishi motive të rëndësishme,” deklaroi qeveria gjermane.

Në mesin e të liruarve rusë ishin edhe dy agjentë të dyshuar që u arrestuan në Slloveni si dhe tre të tjerë të dënuar nga autoritetet amerikane për aktivitete të jashtëligjshme. Presidenti Biden e ka bërë përparësi të gjashtë muajve të fundit të mandatit të tij lirimin e shtetasëve amerikanë që mbahen padrejtësisht.

Këmbimit të së enjtes i parapriu spekulimeve të javëve të fundit, përfshirë rreth gjykimit dhe dënimit me procedurë të shpejtuar ndaj dy gazetarëve amerikanë. Po ashtu gjatë ditëve të fundit, disa figura të tjera të arrestuara në Rusi për shkak të kundërshtimit të tyre publik ndaj luftës në Ukrainë apo për shkak të bashkëpunimit me disidentin rus tashmë të vdekur Alexey Navalny u transferuan në vendndodhje të panjohura./VOA

Marketing