Fushatë kundër marketeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Në rrjetet sociale Instagram dhe Twitter në Maqedoni po zhvillohet një fushatë në bazë etnike, e cila bën thirrje për bojkotimin e marketeve “Kiper” dhe “Kit Go” vetëm sepse pronarët e tyre janë shqiptarë. Në këtë fushatë ka përplot mesazhe ekstreme në baza etnike, fetare dhe kombëtare, sipas të cilave arsyeja e bojkotimit të këtyre marketeve është sepse “punonjësja në KAM ose Stokomak quhet Svetle, ose Gorde, që tingëllon shumë më bukur se sa Shpresa apo Valona”, shkruan  Portalb.mk.

Marketing

Autore: Despina Kovaçevska

Si shkak për nxitjen e kësaj fushate në rrjetet sociale ka qenë një postim në Facebook nga një llogari e mbyllur dhe e dyshimtë, në të cilën autori pa dhënë shumë detaje thotë se në arkën në marketin “Kiper” në Gjorçe Petrovshitësja ka refuzuar t’i tregojë çmimet e produkteve në gjuhën maqedonase, pra ka parapëlqyer t’i thotë në “gjuhën e saj amtare”. Në vazhdim në këtë postim kontrovers, përmes një zëvendësimi të qëllimshëm tezash, autori pyet “nëse po kthehemi në kohën e Gjermanisë naziste, kur disa popuj e kishin të kufizuar lëvizjen”.

Ky postim pastaj vazhdon të përhapet nëpërmjet të ashtuquajturve influencerë në rrjetet sociale Instagram dhe Twitter, ku bëhet thirrje për bojkotim me qëllimin e qartë për ta përçarë popullatën në baza etnike.

Si sjellje “diskriminuese” e këtyre marketeve theksohet fakti që ata nuk shesin alkool dhe produkte që përmbajnë mish derri, konsumimi i të cilave është i ndaluar sipas fesë islame.

Mosshitja e produkteve të caktuara nuk është diskriminim

Por nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi për Portalb.mk thonë se mosshitja e produkteve të caktuara nuk mund të përbëjë diskriminim, sepse tregtarët vendosin vetë se cilat produkte do t’i ofrojnë në shitje.

“Oferta dhe shitja e mallrave është në dispozicion të tregtarëve në përputhje me interesat e tyre ekonomike, praktikat e biznesit dhe parimet e tregut dhe në përputhje me rregulloret që e rregullojnë tregtinë dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj mosshitja e disa mallrave të caktuara nuk mund të përbëjë diskriminim nëse tregtia kryhet në kuadër të këtyre parimeve dhe rregulloreve”, thotë një punonjës i shërbimit profesional të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili dëshironte të mbetet anonim.

Ai sqaron se që të bëhet fjalë për diskriminim duhet të ketë një veprim të paligjshëm ose të ndaluar që e vendos një person të caktuar ose një grup personash të caktuar në një pozitë të pabarabartë me një person tjetër ose me një grup tjetër personash, në aspektin e ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tyre, për shkak të ndonjë karakteristike të tyre me të cilën ata identifikohen.

“Mungesa e disa mallrave nga oferta e disa tregtarëve nuk mund të jetë në korrelacion me realizimin e të drejtave dhe lirive të personave apo të një grupi personash”, thotë ai.

Paraja dhe fuqia ekonomike nuk kanë ngjyrë, komb apo fe

Eksperti ekonomik, Abil Baush është i mendimit se kjo fushatë është një truk marketingu dhe tek ne ka një efekt negativ, sepse ka ndikim negativ në treg.

“Paraja, fuqia ekonomike nuk ka ngjyrë, komb dhe fe”, thotë për Portalb.mkBaush.

Ai shton se ekonomia është mësuar të punojë në një treg të lirë dhe thotë se shembuj të ngjashëm ka pasur edhe në të kaluarën me operatorin celular “Albafon” në vitin 2013.

“Ky operator kishte një fushatë “Të flasim shqip” dhe dështoi shumë shpejt sepse ofronte shërbime vetëm për një grup primar,” tha Baush.

Nga ana tjetër, profesori i marketingut dhe biznesit ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore, Jusuf Zeqiri, shpjegon se fushatat e këtilla shpesh shfaqen si rezultat i komunikimit joetik të drejtuar ndaj sjelljes konsumatore të një grupi tjetër etnik, duke pozicionuar elemente të etno-marketingut në një konotacion negativ.

“Përmes përdorimit të mesazheve provokuese ata kanë vetëm për qëllim që ta rrisin numrin e ndjekësve. Kështu, duke pasur parasysh ambientin e brishtë, ata shumë shpejt e tërheqin vëmendjen e ndjekësve të tyre të cilët si konsumatorë i shohin këta influencues si pika referimi”, thotë për Portalb.mk Zeqiri.

Profesori thekson se një nga qëllimet e atyre që e përhapin fushatën në bazë të ndarjeve etnike është që ta rrisin popullaritetin e tyre duke e minuar kredibilitetin e markave që sulmohen.

“Fushatat e tilla ndikojnë negativisht në ekonomi me atë që e dëmtojnë reputacionin e markës dhe e zvogëlojnë besimin e konsumatorëve, sidomos në tregjet etnikisht të përziera”, thotë Zeqiri dhe shton se në vend që ta promovojnë vlerën e produktit, fushatat e këtilla nga konsumatorët perceptohen si diskriminuese dhe mund të shkaktojnë presion ekonomik dhe social ndaj markave dhe vetë konsumatorëve.

“Një markë e lidhur me mesazhe diskriminuese mund ta humbasë besimin e konsumatorit dhe të perceptohet se mbështet apo toleron një sjellje të tillë, duke e bërë të vështirë rikthimin e besimit dhe kredibilitetit”, shton profesori.

Mendi Qyra, foto nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore
Mendi Qyra, foto nga
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qyra, thotë se rregullisht marrin informacione për fushata të tilla, të cilat sipas tij, janë gjithnjë e më të pranishme. Ai thekson se fushata në fjalë ka reflektuar negativisht sepse është fakt që në marketet e targetuara ka të punësuar edhe shqiptarë dhe maqedonas. Ata gjithashtu blejnë produkte nga kompani maqedonase dhe shqiptare. Megjithatë, ai është i mendimit se këto dukuri janë përjashtime dhe nuk kanë një efekt afatgjatë.

“Këto dukuri i konsideroj përjashtime dhe nuk kanë efekt afatgjatë, ndërsa subjektet që e bëjnë këtë lojë të pandershme do ta kuptojnë se të gjitha kompanitë janë kompani tonat, pa dallim nëse pronari është shqiptar apo maqedonas. Edhe ai i paguan tatime shtetit, kontribuon në punësimin e njerëzve, për konkurrencë e cila mundëson cilësi dhe çmim real në treg”, thotë për Portalb.mk Qyra.

Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente qëtë reagojnë sepse kjo dukuri është e dëmshme jo vetëm për ekonominë, por edhe për politikën.

“Ne jemi një komunitet shumë-etnik dhe si i tillë duhet të mbrohemi që të mund të zhvillohemi ekonomikisht,” thotë Qyra.

Në fushatë pretendohet se gjuha shqipe është gjuha e vetme që përdoret në njërin nga dy marketet. Por, gjatë kontrollimit të profileve në rrjetet sociale, mund të vihet re se përmbajtja e postimeve fillimisht është e shkruar në gjuhën maqedonase, e pastaj në gjuhën shqipe dhe të gjitha janë në dy gjuhë, Foto: Printscreen nga Facebook

Në fushatë pretendohet se gjuha shqipe është gjuha e vetme që përdoret në njërin nga dy marketet. Por, gjatë kontrollimit të profileve në rrjetet sociale, mund të vihet re se përmbajtja e postimeve fillimisht është e shkruar në gjuhën maqedonase, e pastaj në gjuhën shqipe dhe të gjitha janë në dy gjuhë, Foto: Printscreen nga Facebook

Urrejtja nxit urrejtje

Sipas ekspertëve me të cilët biseduam është veçanërisht e rrezikshme që fushata të tilla diskriminuese nxisin gjuhë të urrejtjes që është e pranishme në komentet e postimeve që janë pjesë e fushatës.

Për qëllimet e këtij teksti Meta.mk kontaktoi me dy profesorë nga Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit Shtetëror “Sh. Kirili dhe Metodi”, si dhe me dekanin e fakultetit, por ata nuk deshën ta komentojnë publikisht këtë fushatë me bazë etnike.

Për dallim nga ata, profesori Zeqiri thotë se “fushatat diskriminuese mund ta parandalojnë formimin e partneriteteve me kompani të tjera duke shkaktuar edhe më shumë dëme në reputacionin e markës në tregjet e ndjeshmeqë karakterizohen me përkatësi të ndryshme etnike dhe besime të ndryshme”.

Sipas tij, për t’i evituar fushatat e marketingut me ndikim që promovojnë diskriminim apo paragjykim duhet të ekzistojnë udhëzime të qarta etike që promovojnë diversitetin dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

“Influencerët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e tyre tek publiku i gjerë në pjesët e bazuara në aspektet kulturore dhe sociale, e veçanërisht të kenë kujdes për dallimet etnike”, thotë profesor Zeqiri.

Praktika tregon se fushata të tilla negative e normalizojnë armiqësinë, i përforcojnë stereotipet e dëmshme dhe inkurajojnë një mentalitet “ne kundër tyre”.

Ata shpesh e shfrytëzojnë frikën, zemërimin dhe pakënaqësinë, gjë që i shtyn njerëzit t’i shprehin zhgënjimet e tyre përmes gjuhës së urrejtjes. Duke i përforcuar këto mesazhe, sidomos në rrjetet sociale, përshpejtohet përhapja e gjuhës së urrejtjes duke krijuar një mjedis ku vërtetohet retorika përçarëse dhe agresive. Kjo gjë krijon kushte për një polarizim dhe intolerancë edhe më të thellë./Portalb.mk