Kuvend, inaugurohet Dhoma e mbrojtur, shërbimet e sigurisë në mbikëqyrjen e deputetëve

Kuvendi inauguron Dhomën e mbrojtur për të mbikëqyrur shërbimet e sigurisë, me qëllim zhvillimin e shoqërisë demokratike dhe qeverisjen e mirë. E realizuar me kërkesë të NATO-s, në këtë hapësirë do të punohet me informacione të klasifikuara me shkallë të lartë të besueshmërisë. Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se dhoma do vihet në dispozicion edhe për institucione të tjera të cilat punojnë në mbledhje të klasifikuara, ndërkaq projekti është parakusht për ecjen para në rrugën e integrimit.

Marketing

“Anëtarësimi në BE dhe NATO nënkuptojnë reforma, hapa dhe standarde, jo vetëm për ne si shtëpi ligjvënëse, por edhe për të gjitha institucionet në drejtim të përparimit të standardit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë, gjegjësisht përafrimit të vlerave evropiane para se të jemi pjesë e BE-së.”, – deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Projekti i nisur tanimë shtatë vite, i realizuar në bashkëpunim me DKAF-in, Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e sektorit të sigurisë, synon edhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione.

“Kjo dhomë është më shumë se sa një hapësirë e sigurisë. Kjo paraqet përkushtimin tonë të përbashkët për transparencë, siguri dhe qeverisje të mirë.”, – theksoi menaxheri i DKAF-Shkup, Vllado Gjerdovski.

Deputetët e pushtetit dhe opozitës me konsensus janë dakorduar për realizimin e dhomës. Urojnë unifikimi i qëndrimeve të shtrihet edhe në çështje të tjera.

“Integrimi euroatlantik i vendit tonë nënkupton edhe reforma rrënjësore në sektorin e sigurisë dhe të inteligjencës, në institucionet të cilat kryejnë mbikëqyrje dhe kontroll, që nënkupton edhe përforcim të kapaciteteve për mbikëqyrje të vetë Kuvendit. Ndërtimi i dhomës duhet të krijojë kushte për mbikëqyrje efektive mbi shërbimet e sigurisë.”, – u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO – DPMNE.

“Kur bëhet fjalë për Maqedoninë, dimë të sjellim bashkërisht vendimet e drejta. Kjo mund të jetë motiv edhe për shumë çështje të tjera për të cilat mund të arrijmë zgjidhje të përbashkëta.”, – deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.

Kuvendi parashikon edhe përforcimin e kapaciteteve të shërbimeve të Kuvendit, punësime të reja, si dhe bashkëpunimin me kuvendet e shteteve të tjera. Pas ndërveprimin me parlamentin slloven, interes për bashkëpunim në fushën e sigurisë ka shprehur Kosova.