Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, nëpërmjet të një postimi në Facebook, i është përgjigjur Kryeministrit Hristijan Mickovski për deklaratën e sotme rreth kërkesës së tij për zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor 2025.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë mbështetjen absolute të qytetarëve në të gjitha proceset zgjedhore që nga viti 2002 gjer në 2024.
Si rezultat i fitoreve zgjedhore ndër vite, kemi qenë në koalicione qeverisëse bashkë me LSDM, VMRO DPMNE, por edhe me Aleancën për shqiptarët, Besën, Alternativën, PDSHnë, ndërsa eksponentë të tjerë kanë qenë pjesë e përgjegjësisë sonë në këto 22 vite në koalicionet tona të përbashkëta.
Përgjegjësitë, të bërat e të pabërat, i kemi ndarë bashkë. Ne nuk kemi ndryshuar në qëndrimet tona, por të gjithë të tjerët kanë ndryshuar në qëndrimet e tyre varësisht të rrethanave, a janë me ne në koalicion ose jo.
Prandaj, ne nuk kërkojmë pjesëmarrje në Qeveri për ti ikur asnjë përgjegjësie të sajuar në vazhdimësi në këto 22 vite, e cila gjithëmonë është ndarë me ju, por për ta respektuar votën e sovranit, për ta ndaluar nënçmimin e shqiptarëve, për ta integruar vendin në Bashkimin Europian, për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, për veting të tërësishëm të politikanëve, gjykatësve, prokurorëve, oligarkëve, procesit të privatizimit, si dhe drejtësi joselektive të monitoruar ndërkombëtarisht!