Kush e hodhi në erë kanalin e ujit të Ibër-Lepenc, që furnizon me rrymë një pjesë të madhe të Kosovës

Picture of Ina Online
Ina Online
30/11/2024

Marketing

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Pra ky është kanali kyç përmes të. cilit furnizohet edhe me energji elektrike një pjesë e madhe e Kosovës.

Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.

Sveçla: U përdor rreth 15 kg eksploziv! Synimi, destabilizimi i vendit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se është përdorur rreth 15 kg eksploziv për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc. Ai e ka quajtur aktin terrorist duke u shprehur se u dëmtua seriozisht një pjesë e kanalit të Ibër- Lepencit.

“Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit u dëmtua seriozisht, nuk dihet ende saktësisht për eksplozivin, por sipas eksperteve të policisë, flitet diku për rreth 15 kg eksploziv”, tha ai.

Sveçla shtoi se qëllimi i këtij sulmi është destabilizimi i vendit.

Ndaj, aktit të në kanalin Ibër – Lepenc kanë reaguar edhe SHBA, Tirana zyrtare, Ambasada britanike, BE dhe EULEX-i, duke kërkuar që kryerësit e këtij akti të kapen dhe të nxirren para drejtësisë.

Sanohet përkohsisht dëmi, sigurohet furnizim i rregullt me energji

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin-Potok ku u dëmtua kanali i ujit Ibër Lepenc.

“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar ajo.

Rizvanolli ka njoftuar më tej për planin për furnizim me ujë.

Çfarë është Ibër-Lepenci?

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është shoqëri aksionare me seli në Prishtinë dhe është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.

Bazuar në dokumentet qeveritare, nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman në Zubin Potok, me ujë të pijshëm furnizohet veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem gjithashtu furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit afër Prishtinës.

Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit./Evropa e Lirë