FFK ankimon në CAS vendimin e UEFA-s që i dha fitoren në tavolinë Rumanisë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar opinionin se ka ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendimin e UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani- Kosovë, e cila iu dha vendasve në tavolinë me rezultatin 3-0.

Marketing

Kombëtarja e Kosovës la fushën në minutën e 90-të në ndeshjen në udhëtim me Rumaninë kur rezultati ishte 0-0 për shkak të thirrjeve raciste dhe ksenofobike.

UEFA vendosi që Kosova, përveçse të humbte ndeshjen në tavolinë, të gjobitej me 6 mijë euro.

Megjithatë, ndaj këtij vendimi FFK-ja ka njoftuar se ka proceduar ankesën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se në afatin e përcaktuar kohor, ka proceduar në CAS (Court of Arbitration of Sport) ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani- Kosovë, të datës 15.11.2024.

FFK-ja, përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesisht nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar.

Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS do të marrë vendim të drejtë e meritor”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Marketing