Arsovski: Aktivitetet e BDI-së para Gjykatës Kushtetuese, dramë për ta mbajtur partinë sërish aktive

Duke marrë parasysh se nuk kemi informacione konkrete se çfarë do të ndodhë në Gjykatën Kushtetuese, është e vështirë të analizohet se çfarë po mbron BDI-ja në të vërtetë, tha për Alsat analisti politik Petar Arsovski, duke komentuar protestën e BDI-së para Gjykatës Kushtetuese.

Marketing

Sipas Arsovskit, në kohën kur kryeministri thotë se në seancë nuk do të ndodhë asgjë, ndërsa BDI-ja paralajmëron se do të shfuqizohen dispozitat e ligjit që nuk janë zbatuar deri më tani, është e paqartë se çfarë dëshiron të arrijë kjo parti.

“Kjo duket më shumë si lloj drame për ta mbajtur partinë sërish aktive dhe për ta mbajtur atë në fokus të vëmendjes së publikut sesa që ka aktivizëm të vërtetë politik sepse ende nuk e dimë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe as nuk kemi njoftime se në cilin drejtim do të shkojë. Në fund të fundit, kjo lidhet edhe me vendimin e Komisionit të Venecias që janë jashtë mandatit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Petar Arsovski, analist politik. Qeveria duhet të ketë kujdes që protestat të mos përshkallëzohen, përndryshe BDI-ja ka të drejtë të protestojë dhe të vendosë tenda, konsideron Arsovski, duke shtuar se tani për tani gjithçka i ngjan teatrit politik.

“Edhe BDI-ja ka të drejtë të protestojë, të qëndrojë roje, të vendosë tenda e kështu me radhë para Gjykatës Kushtetuese dhe para çdo institucioni sepse kjo e drejtë është e garantuar me kushtetutë për cilësdo parti politike apo organizatë joqeveritare.

Pyetja është se ne nuk e dimë se çfarë po mbron BDI-ja në këtë moment, nuk e dimë nëse Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizojë ligjin e gjuhëve, do të shfuqizojë disa pjesë, nuk do të shfuqizojë asgjë apo thjesht do t’i rekomandojë legjislativit që disa pjesë të ligjit të ndryshohen në një mënyrë për t’i sjellë ato në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa atë informacion, kjo duket si teatër politik për momentin”, shtoi Petar Arsovski, analist politik./Alsat/

Marketing