Të paktën 30 persona humbën jetën gjatë rënies së avionit në Aktau, në Kazakistan. Sipas raportimeve, në bordin e avionit ishin 67 persona, pesë prej të cilëve ishin ekuipazhi. Deri më tani, të paktën 32 persona kanë mbijetuar, njoftuan zyrtarët. Kreu i departamentit të komunikimit të linjës ajrore
“Azerbajxhan Airlines” njoftoi se po ofrohet ndihma e duhur operacionale dhe mjekësore.
“Po ofrohet mbështetja e nevojshme operacionale në vendngjarje nga shërbimet e emergjencës së Kazakistanit. Në bord ndodheshin 37 shtetas azerbajxhanas, 16 shtetas rusë, 6 shtetas kazakistanas dhe 3 shtetas kirgizistanas”, deklaroi Farid Huseinov, kreu i departamentit të komunikimit të Azal.
Avioni “Embraer 190” bëri një ulje emergjente, në Aktau, si pasojë e mjegullës dhe një goditjeje të rastësishme të një tufe shpendësh në avion, sipas kompanisë ajrore. Avioni ishte nisur nga kryeqyteti azerbajxhanas Baku, në drejtim të qytetit rus Grozni. /Alsat.mk