Fermerët në Maliq po përballen me një krizë të rëndë ekonomike, pasi qindra kuintalë qepë dhe patate të prodhuara nga ata po hidhen në kanale për shkak të mungesës së tregut. Ndërkohë, tregjet vendase po dominohen nga produktet e importuara nga Serbia dhe vendet e rajonit, duke i lënë prodhuesit vendas në vështirësi të mëdha.
Fermerët fajësojnë Ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, për mosmbajtjen e premtimeve. Pesë muaj më parë, Denaj kishte premtuar formalizimin e tregut dhe mbrojtjen e produkteve vendase, por situata nuk ka ndryshuar. Produktet e tyre bujqësore nuk arrijnë të dalin në treg dhe për pasojë, një pjesë e prodhimit po asgjësohet.
“Kam prodhuar 1,500 kuintal qepë dhe gjysmën e kam hedhur në kanal se s’ka treg. Vijnë qepët nga jashtë, nga Serbia e vende të tjera. Investova 15 mijë euro dhe kam marrë vetëm 4 mijë euro,” tha një fermer, duke shprehur dëshpërimin e tij.
Një tjetër fermere u ankua për stokun e madh të mbetur dhe mungesën e shitjeve. “Me këtë punë jetojmë si familje. Kam prodhuar 700 kuintal dhe s’kam shitur as 250. Ku të shkoj, ku të mbytem!”
Fermerët kërkojnë mbështetje urgjente nga Ministria e Bujqësisë dhe kompensim për humbjet e mëdha që kanë pësuar. “Ky dëm na erdhi nga shteti, jo nga natyra. Ne duam dëmshpërblim. Ministrja na premtoi mbështetje, por asgjë nuk ka bërë,” u shpreh një kultivues, i cili raportoi një dëm prej 100 mijë eurosh nga prodhimi i mbetur në stok.
Në Bashkinë e Maliqit, kultivohen rreth 850 hektarë qepë dhe 800 hektarë patate, duke prodhuar afro 60 mijë ton në vit. Përballë konkurrencës së importeve dhe mungesës së tregut të organizuar, fermerët e kësaj zone po përballen me humbje të papërballueshme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria./JOQ.al