Sonte “El Clasico”, derbi i shumëpritur

Sonte në mbrëmje, bota e futbollit do të jetë me sytë nga finalja e Superkupës së Spanjës, ku dy rivalët e përjetshëm, Real Madrid dhe Barcelona, do të përballen në një tjetër “El Clasico”.

Marketing

Sfida do të zhvillohet në Arabinë Saudite, duke sjellë një atmosferë të zjarrtë për këtë duel interesant.

Barcelona, e udhëhequr nga trajneri gjerman, Hansi Flick, kërkon të rikthejë lavdinë e dikurshme. Kjo ndeshje do të jetë një test i rëndësishëm për skuadrën katalanase, e cila ka treguar shenja përmirësimi këtë sezon. Për Flick, fitorja e Superkupës do të shënonte trofeun e parë si trajner i Barçës dhe një sinjal të qartë për rikthimin në garat madhore.

Nga ana tjetër, Real Madridi vjen në këtë finale si kampion në fuqi i Superkupës. Skuadra e Carlo Ancelottit, me lojtarë si Kylian Mbappe dhe Vinícius Júnior, synon të tregojë edhe një herë fuqinë e saj në skenën ndërkombëtare.

Ancelotti është i vetëdijshëm për presionin që sjell kjo përballje, por “Los Blancos” kanë treguar vazhdimisht aftësinë për të përballuar situatat e mëdha.

Rrugës për finale, Barcelona eliminoi Athletic Bilbaon në gjysmëfinale 2:0, kurse Real Madridi “rrëzoi” Mallorcan e Vedat Muriqit 3:0.

Marketing