Mbetet e paqartë se kush do të drejtojë Komisionin Parlamentar për Politikë Sociale, pas votimit të mosbesimit për kryetaren e këtij komisioni, Ilire Dauti.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ende nuk njoftojnë nëse do të propozojnë emër të ri për kryetar të komisionit apo do të insistojnë që aty të qëndrojë deputetja, Ilire Dauti.
ASh, pjesë e Frontit Evropian, vlerësojnë se për këtë çështje do të deklarohet vet deputetja, Ilire Dauti.
“Sot jemi këtu vetëm për rastin e djeshëm që ndodhi, për këtë çështje me siguri do të përgjigjet vet deputetja, Ilire Dauti.”, – deklaroi Isen Shabani nga Fronti Evropian.
Nga LSDM theksojnë se përgjegjësia si për Dautin, ashtu edhe për moscaktimin e seancës së Komisionit është e kryeparlamentari, Afrim Gashi.
“Nuk mund që një interpelancë të mos ketë pasoja juridike. E gjithë përgjegjësia për mosmbajtjen e seancës për Ligjin për “branitellat” dhe tani pas votimit të mosbesimit ndaj Dautit e ka kryeparlamentari, Afrim Gashi. Tani që është votuar interpelanca apo mocioni i mosbesimit, është edhe përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit të shpallë se çfarë veprimi do të ndërmarrë.”, – theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE qëndron në qëndrimin e saj se Dauti nuk ka legjitimitet për të udhëhequr Komisionin për Politikë Sociale dhe pret që Gashi të kërkojë nga Komisioni Zgjedhor dhe Emërime që ta zbatojë procedurën për shkarkimin e Dautit. Nga ana tjetër, nga VLEN-i mbeten në qëndrimin e kabinetit të kryeparlamentarit, Gashi, se interpelanca e votuar për deputeten, Dauti, nuk ka pasoja juridike dhe se ajo ende vazhdon të mbetet kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështje Sociale, Demografi dhe Rini.
Ndërsa partia “E Majta” ka njoftuar se nëse nuk dorëhiqet Dauti, atëherë kjo parti do të iniciojë procedurë për shkarkimin e saj.