Koalicioni VLEN do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme me kandidat dhe lista të përbashkëta, duke forcuar më tej unitetin e tij politik. Lajmin e konfirmoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, gjatë një interviste në emisionin “Samo Intervju” në Kanal 5.
“Ne, si VLEN, po funksionojmë mirë në këtë format – qoftë në fushatën e përbashkët, në hartimin e planprogrameve apo në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Për këtë arsye, edhe në zgjedhjet e ardhshme do të garojmë me kandidat dhe lista të përbashkëta,” deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se kjo qasje do të vazhdojë edhe më tej, ndërsa pas zgjedhjeve lokale ka gjasa që VLEN të shndërrohet në një parti të vetme.
“Fakti që secila parti po themelon organet e saj partiake tregon se me forcimin e radhëve tona, forcohet edhe VLEN-i. Prioriteti ynë kryesor mbetet realizimi i programit qeveritar,” shtoi Mexhiti.