Barcelona do të jetë sërish pa yllin e mesfushës, Dani Olmo, teksa përgatitet të presë Alaves këtë fundjavë.
Blaugranat synojnë të ringjallin shpresat për titull në ditët në vijim, pasi aktualisht janë shtatë pikë pas kryesuesve të tabelës, Real Madridit.
Barcelona siguroi një vend automatik në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve në mesjavë, pas një barazimi 2-2 kundër skuadrës italiane Atalanta.
Megjithatë, Olmo mungoi në përballjen ndaj ekipit të Gian Piero Gasperinit dhe data e kthimit të tij mbetet e panjohur.
Ish-ylli i RB Leipzig ka humbur tre ndeshjet e fundit të Barcelonës, si në kampionat ashtu edhe në Europë, pasi pësoi një dëmtim në pulpë gjatë barazimit 1-1 me Getafen.
Sipas raportimeve më të fundit nga Diario AS, Olmo nuk ka marrë pjesë në seancat kryesore stërvitore të Barcelonës këtë javë dhe nuk do të jetë në skuadër për ndeshjen ndaj ekipit bask.
Ai vazhdon të stërvitet i vetëm në palestër, ndërsa shqetësimet mbi kohën e rikthimit të tij po rriten. Klubi nuk dëshiron të vendosë një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë.
Fillimisht, synimi ishte që 26-vjeçari të rikthehej për sfidën ndaj Atalantës, me mundësinë që Alaves të ishte “Plan B”, por tani kjo nuk është më një opsion.
Nga ana tjetër, ka lajme pozitive për qendërmbrojtësin Iñigo Martínez, i cili është rikthyer në stërvitje të plotë dhe po punon për të rikuperuar formën e tij.
Mbrojtësi 33-vjeçar pritet të përfshihet në skuadrën për ndeshjen ndaj Alaves, por Hansi Flick pritet ta vendosë vetëm në pankinë.
Olmo do të vlerësohet përsëri para çerekfinales së Copa del Rey kundër Valencias më 6 shkurt, por shenjat aktuale nuk janë premtuese.
Flick dëshiron që të gjithë lojtarët që rikthehen nga dëmtimet të kenë të paktën një javë stërvitje të plotë para se të aktivizohen në ndeshje dhe Olmo duhet të rifitojë formën e tij.