Në Kuvend debat publik për ndryshimet ligjore për siguri më të madhe në komunikacion

Në Kuvend sot në kuadër të Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive do të mbahet debat publik për nevojën për ndryshime në rregullativën ligjore me qëllim përforcimin e sigurisë në komunikacion.

Marketing

Iniciativa për debat publik vjen pas rastit të Frosina Kulakovës, 22 vjeçare nga Negotina, e cila është aksidentuar për vdekje më 29 janar në një vendkalim për këmbësorë në bulevardin “Aradhat Partizane” nga ana e 20-vjeçarit Vasil Jovanov nga Shkupi. Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa për të edhe më parë ka pasur padi penale për një tjetër aksident trafiku dhe për përdorim të paligjshëm të drogës.

Sipas parlajmërimeve, debati publik pritet të zgjasë rreth dy orë, ndërsa në të janë ftuar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Këshilli republikan për siguri në komunikacionin rrugor, gjyqtarë, prokurorë publikë, organizata joqeveritare, media dhe aktorë të tjerë shoqërorë.

Iniciativën për mbajtjen e debatit publik e kanë dorëzuar të hënën deputetët e VMRO-DPMNE-së, “Vlen”-it dhe ZNAM, ndërsa mbështetje dhanë dhe deputetët nga të gjitha partitë politike.