“Nuk kam preferencë”, Rama flet për zgjedhjet e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen nesër në Kosovë.

I pyetur se çfarë rezultatesh pret nga këto zgjedhje, Rama tha se nuk ka asnjë preferencë me fituesin, meqë me të gjithë kandidatët ka një marrëdhënie të mirë.

Marketing

Rama ka folur për “El Mundo” gjatë një vizitë në Madrid.

“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me gjithë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. I uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë”, tha Rama.

Rama foli edhe për emigrantët dhe se çfarë do të ndodhë me tej me marrëveshjen me Italinë.

Ai i bëri thirrje Evropës që të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, të mbrojë kontrollin e kufijve, por edhe të jetë e “hapur” ndaj imigracionit legal.

Për politikën ndërkombëtare të Trumpit dhe rreth asaj çka po ndodh në Gazë, Rama dha shkurtimisht këtë përgjigje.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Mendoj se plani duhet të qartësohet, të kuptohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e tjerë. Është ende herët”, tha ai.

I ndalur po te Trumpi me vendimin për pezullimin e fondeve nga USAID ku preket edhe vendi ynë, Rama siguroi se nuk do të ketë asnjë problem me afganët që jetojnë në Shqipëri, raporton Top Channel.

“Nuk do të ketë asnjë problem me refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri. Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë këtë , nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Këto nuk janë shifra të mëdha për ne, janë vetëm disa qindra njerëz”, tha ai.