Fetai flet për forcimin e transparencës në menaxhimin e fondeve publike

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mire Arben Fetai sot mori pjesë në një takim pune në
Mavrovë të organizuar nga programi i përbashkët i Qeverisë së Norvegjisë dhe UNOPS-it,
“Knowledge for Reform Action in the Western Balkans”, ku u diskutua për rëndësinë e mbrojtjes së interesit financiar publik në projektet infrastrukturore të financuara nga BE.
Në këtë takim pune, i cili synon forcimin e transparencës dhe menaxhimit të fondeve publike në rajon, morën pjesë edhe Orhan Murtezani, Ministër i Çështjeve Evropiane, Steffen Hudolin, Shef i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së, dhe Christa Arent, Këshilltare e Lartë për Menaxhimin Rajonal dhe Mbikëqyrjen në UNOPS.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Fetai theksoi se korrupsioni në projektet e infrastrukturës nuk është vetëm shpërdorim i mjeteve publike, por pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe rrënon besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
Studimet tregojnë se praktikat korruptive mund të rrisin kostot e projekteve deri në 30 për qind, duke dëmtuar investimet publike dhe duke ulur cilësinë e shërbimeve për qytetarët, nënvizoi Fetai.
Ai tha se për të promovuar transparencën e plotë në shpenzimin e fondeve publike, Qeveria ka digjitalizuar plotësisht prokurimet publike dhe ka forcuar njësinë e auditimit të brendshëm.
Sipas tij, BE-ja, Norvegjia dhe UNOPS luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes financiare.

Marketing