Mickoski: Marzhi për tregtinë me pakicë dhe shumicë kufizohet në 10 për qind deri në fund të prillit, pres ulje të çmimeve të produkteve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me kufizimin e marzhave dhe sa ulje e çmimeve pritet nga kjo masë, deklaroi:

Marketing

“Pres, absolutisht po. Gjatë ditës së djeshme kishim mbledhje të Qeverisë, në të cilën nga ministri i ekonomisë dhe punës morëm një brifing të detajuar, por njëkohësisht do të thoja edhe debrifing nga ana e raportit të dorëzuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Ramë dakord që sa më shpejt të dilet me një propozim.

Sot u takuam, para se të vija këtu në Kavadar, isha në Kuvend, ku pati pyetje të deputetëve. Sipas rregullores së re, opozita pyet dhe ne përgjigjemi, u takova me ministrin, tashmë e kam propozimin në version pune. Gjatë ditës do të harmonizohet dhe pres që nesër, në një mbledhje të jashtëzakonshme, të miratohet dhe të zbatohet nga supermarketet ose hipermarketet.

Marzhi i tregtisë me pakicë dhe shumicë kufizohet në 10 për qind dhe pres, sigurisht, një ulje të ndjeshme të çmimeve të produkteve që qytetarët përdorin më së shumti. Këto produkte janë zgjeruar me artikuj të tjerë, përfshirë produktet higjienike dhe ushqimin për foshnja. Nga ajo që pashë, pothuajse çdo gjë që përdorin qytetarët është e përfshirë. Kjo masë do të vlejë deri më 30 prill, ndërsa më tej do të shohim se si do të zhvillohen gjërat.

Gjithashtu, kemi miratuar përfundim, edhe pse shoh se disa zëdhënës të opozitës e marrin me përqeshje, si dhe vetë partitë opozitare, që të gjitha supermarketet dhe hipermarketet duhet të përditësojnë në mënyrë transparente çmimet e tyre në faqet e tyre të internetit çdo ditë. Tani, nëse hyni, nuk mund të lexoni se cilat janë çmimet e produkteve.

Nëse në një zinxhir marketesh një produkt kushton X denarë, ndërsa në një tjetër kushton gjysmë X denarë, atëherë si konsumator do të mendoj se ku duhet ta blej atë produkt. Kjo do të krijojë edhe një lloj konkurrence mes tregtarëve.

Përfundimi i tretë ishte që ministri i ekonomisë dhe punës të thërrasë një takim pune dhe të koordinohet me të gjitha institucionet, si Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe të tjerë të rëndësishëm, për të dalë përsëri në terren dhe për ta zgjeruar disi aksionin, duke parë edhe sektorin e pajisjeve shtëpiake dhe mënyrën se si funksionon kjo në tregjet e tjera tregtare, supermarketet dhe hipermarketet.