Dikush mund të bëjë lista për punësime, por kjo nuk do të ndodhë derisa të jem unë kryeministër i Maqedonisë së Veriut, theksoi Hristijan Mickoski, duke reaguar ndaj deklaratës së Zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti për premtimin e punësimit të mijëra shqiptarëve në administratën shtetërore.
Mickoski theksoi se punësimet duhet të bazohen në kompetenca dhe meritokraci, dhe se çdo përpjekje për të përzierë aspekte partiake dhe etnike është e papranueshme.
“Nuk ka një gjë të tillë, nuk do të ketë kurrë. Kam lexuar se, kam ndjekur mediat, një gjë e tillë nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë derisa të jem kryeministër i qeverisë maqedonase. Do të punësohen, dhe është mirë që të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe njerëz që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve, nuk duhet të diskutojmë tani për çelësat partiakë, etnikë. Ne do të bëjmë një ligj që të ketë një përfaqësim të drejtë, etnik, sepse ate që e kanë bërë është anuluar nga Gjykata Kushtetuese sepse “badenteri” është kategori kushtetuese, duhet të harmonizojmë legjislacionin në përputhje me kategorinë kushtetuese. Dikush mund të rrijë duke bërë lista, nuk e përjashtoj këtë, por për sa kohë që unë jam kryeministër, një gjë e tillë nuk do të ndodhë” – tha Mickoski.
Mickoski gjithashtu komentoi raportet brenda koalicionit qeveritar, duke thënë se marrëdhëniet janë të mira, por disa individë mund të kërkojnë të rrisin vlerësimin e tyre publikisht.
“Me sa di dhe mendoj se jam i informuar mirë, është e shkëlqyeshme. Tani, ndonjëherë disa individë mund të duan të rrisin vlerësimin e tyre në këtë mënyrë, në një përqindje të caktuar, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë besueshmëri dhe legjitimitet në publik, por kjo është mirë, është një debat i shëndetshëm dhe është i shëndetshëm brenda qeverisë, përndryshe marrëdhëniet janë të mira, do të thosha të shkëlqyera” – tha Mickoski.
Ai foli edhe për vizitën e tij në Uashington, duke deklaruar se Maqedonia merr mbështetje ndërkombëtare, por disa shtete të BE-së po e kthejnë vendin në mesjetë.
“Ne marrim mbështetje konkrete nga të gjitha anët, të gjithë i kuptojnë argumentet tona, të gjithë pas perdes heshtin dhe shtrëngojnë duart dhe thonë se kjo është e vërteta, mjaft me standarde të dyfishta, duhet të ecni përpara, por fatkeqësisht janë disa shtete anëtare të BE-së, një shtet anëtar i BE-së që në vend që të punojmë në shekullin 21, 22, po kthehemi në mesjetë dhe shekullin e 12-të” – tha Mickoski.
Ai gjithashtu informoi se do të udhëtojë për në Stamboll, për një drekë private me presidentin Erdogan dhe se një konferencë qeveritare është planifikuar në Budapest.