OKB, miratohet rezoluta për Ukrainën, e propozuar nga SHBA

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara për përvjetorin e tretë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, e cila mban një pozicion neutral ndaj konfliktit, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për ndërprerjen e luftës.

Marketing

Rezoluta e shkurtër pasqyron ndryshimin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës nga Presidenti Trump pas marrjes së detyrës muajin e kaluar dhe qëndrimin e tij më pajtues ndaj Rusisë. Ky është një ndryshim nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, e cila udhëhoqi përpjekjet në OKB për të mbështetur Ukrainën gjatë gjithë luftës.

“Kjo rezolutë na vendos në rrugën drejt paqes”, u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, diplomatja amerikane Dorothy Shea. “Është një hap i parë, por vendimtar – për të cilin të gjithë duhet të jemi krenarë. Tani ne duhet ta përdorim atë për të ndërtuar një të ardhme paqësore për Ukrainën, Rusinë dhe komunitetin ndërkombëtar.”

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, pranoi “ndryshime konstruktive” në pozicionin e Shteteve të Bashkuara për konfliktin. Ai i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se rezoluta nuk ishte “një zgjidhje ideale”, por “një pikënisje për përpjekjet e ardhshme drejt zgjidhjes paqësore”.

Rezoluta u miratua me 10 vota pro, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara dhe abstenime nga Britania dhe katër anëtarët evropianë të Këshillit. Asnjë anëtar nuk votoi kundër rezolutës.

Franca dhe Britania ishin përpjekur të siguronin një shtyrje të votimit, por dështuan. Më pas ato, së bashku me Danimarkën, Greqinë dhe Slloveninë, kërkuan ndryshime në tekstin e propozimit të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë zëvendësimin e formulimit “konflikti Rusi-Ukrainë” me “sulmin në shkallë të gjerë të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”.

Ata gjithashtu donin të përfshinin gjuhën që mbështeste sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe për një “paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që përbëhet nga 15 anëtarë ishte bllokuar gjatë gjithë luftës në Ukrainë dhe nuk ishte në gjendje të ndërmerrte asnjë veprim, sepse Rusia ka të drejtën e vetos.

Por Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh ka mbështetur vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka bërë thirrje për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me Kartën e OKB-së.

Organizata e Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë më herët të hënën rezolutën amerikane për të zbutur qëndrimin e Asamblesë së Përgjithshme ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh votoi mbi projekt-rezolutat rivale, një nga Uashingtoni dhe një e shkruar nga Ukraina dhe shtetet evropiane për të shënuar përvjetorin e tretë të sulmit rus në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara u detyruan të abstenonin në votimin e rezolutës së tyre, pasi vendet evropiane ndryshuan me sukses versionin e Uashingtonit për ta formuluar në një mënyrë të tillë që pasqyronte mbështetjen e OKB-së për Kievin gjatë luftës, përfshirë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës./VOA