Ibrahimi: E kemi për detyrë ta ndryshojmë preambulën e kushtetutës si dhe emërtimin pezhorativ “20 për qind” për gjuhën shqipe

Zeqirija Ibrahimi, lider i Alternativës, ka folur për temat e fundit
politike që janë duke u diskutuar në opinionin publik.
Ibrahimi ka theksuar se është detyrim që të ndryshohet preambula e
kushtetutës me qëllim që të zhbllokohet rruga drejt BE-së.
Me këtë rast, duhet ndryshuar edhe ëmërimi pezhorativ “20” për gjuhën
shqipe.
“ Jam dakord se stema e shtetit nuk e pasqyron saktë identitetin e
shtetit tonë të ri, por nëse jemi gati të flasim për këtë temë,
kjo është edhe një mundësi e mirë për reforma reale dhe të
nevojshme që do ta ritrajtësonin edhe të ardhmen e Maqedonisë së
Veriut.
Ne e kemi për detyrë ta ndryshojmë edhe preambulën e kushtetutës
për ta zhbllokuar kështu rrugën tonë të integrimit europian. Ky nuk
është vetëm një hap politik, por edhe një lëvizje strategjike
drejt stabilitetit dhe zhvillimit. Po ashtu ne kemi nevojë për një
tekst të ri të himnit shtetëror, që do të jetë
gjithëpërfshirës, duke siguruar inkluzivitet për të gjithë
qytetarët e vendit. Po aq e rëndësishme është edhe heqja e
emërtimit pezhorativ “20%” për gjuhën shqipe, sepse shqipja nuk
është kategori statistikore, por është gjuha e një popullsie
auktoktone dhe të konsiderueshme, andaj duhet të njihet në përputhje
me rrethanat. Në këtë pako duhet ta definojmë edhe familjen si një
bashkësi mes një burri dhe një gruaje, kjo në përputhje me vlerat
tona tradicionale.
Janë këto ndryshime që, përtej simbolikës, mundësojnë një
kohezion më të madh shoqëror, që e garantojnë integrimin europian,
që e avancojnë barazinë gjuhësore dhe mundësojnë një identitet
nacional gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët”, deklaroi
Ibrahimi.

Marketing