Trump godet avokatët e ish-Prokurorit Jack Smith që i ndihmuan në hetimet kundër tij

Presidenti amerikan, Donald Trump të martën nënshkroi një memorandum për pezullimin e lejeve të sigurisë për punonjësit e një firme ligjore që ndihmuan ish-këshilltarin special Jack Smith në hetimin kundër tij.

Marketing

Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, tha në Zyrën Ovale se memorandumi synonte firmën ligjore me bazë në Uashington, Covington & Burling, e cila ofroi shërbime ligjore pro bono për Smith gjatë hetimeve të tij ndaj Trump që çuan në dy aktakuza penale.

“Si rezultat i këtyre veprimeve, ne tani do të pezullojmë dhe do të vëmë në shqyrtim lejet e sigurisë për punonjësit e asaj firme dhe do të mbajmë përgjegjës njerëzit,” tha Scharf, shkruan TheHill.

Trump bëri shaka duke thënë se do ta quajnë memorandumin “nënshkrimi i çmendur i Jack Smith-it”, duke përdorur një term fyes që shpesh e ka përdorur për të sulmuar ish-këshilltarin special.

Që nga marrja e detyrës, Trump ka vënë në shënjestër Smith-in dhe ata që lidhen me të.

Departamenti i Drejtësisë në janar shkarkoi disa prokurorë që punuan në çështjet penale kundër Trump, duke thënë se nuk mund t’i “besonin” atyre.

Ky veprim preku të paktën një duzinë prokurorësh që punuan si për çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje të Trump, ashtu edhe për atë të mbajtjes së gabuar të dokumenteve në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida. Të dyja çështjet u ngritën nga Smith. Asnjëra prej tyre nuk shkoi në gjyq para se Trump të fitonte mandatin e dytë në nëntorin e kaluar.