Gjykata e Lartë e Spanjës shpalli fajtor ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, për sulm seksual ndaj futbollistes Jenni Hermoso.
Ngjarja ndodhi gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve pas fitores së Spanjës në Kupën e Botës 2023, ku Rubiales puthi Hermoso pa pëlqimin e saj, duke shkaktuar një valë protestash dhe kërkesa për dorëheqjen e tij.
Rubiales u dënua me një gjobë prej 10,800 eurosh dhe u ndalua që të ketë kontakt me Hermoso për një periudhë prej një viti. Po ashtu, ai u detyrua të mbajë një distancë prej 200 metrash nga futbollistja. Megjithatë, Rubiales u shpall i pafajshëm për akuzën e detyrimit, që lidhej me përpjekjet e tij për të bindur Hermoso të deklaronte publikisht se puthja kishte qenë konsensuale.
Në gjykatë, Rubiales mbrojti veprimet e tij, duke i quajtur ato një “akt dashurie” dhe “diçka krejtësisht spontane”.
Ndërkohë, Hermoso dëshmoi se nuk kishte dhënë pëlqimin e saj dhe se incidenti kishte “njollosur ditën më të bukur të karrierës së saj”.
Tre ish-zyrtarë të tjerë të Federatës Spanjolle të Futbollit, që akuzoheshin për përpjekje për të ndihmuar Rubiales të detyronte Hermoso të ndryshonte versionin e ngjarjes, u shpallën të pafajshëm. Ata ishin trajneri Jorge Vilda, ish-kreu i marketingut Rubén Rivera dhe ish-drejtori sportiv Albert Luque.