Lideri i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi në një video deklaratë ka
komentuar thirrjet për bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga ana e BDI-së.
Midis tjerash, Ibrahimi thekson se është në dobi të demokracisë që në
BDI të ndodh reformimi sa më i shpejtë.
Nëse BDI dëshiron të mbijetojë, thekson Ibrahimi, Ahmeti duhet të
largohet dhe t`i hapë rrugë një partie të reformuar.
“ Deklaratat e kreut të BDI-së se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje
lokale kanë të bëjnë vetëm me faktin se ai e di që për herë të parë nuk
do të mund t’i manipulojë zgjedhjet. Nuk mund të blejë më vota dhe nuk
mund t’i kërcënojë më qytetarët. Ndërsa pa këto mjete ai nuk dëshiron të
hyjë fare në garë zgjedhore, sepse e di që ashtu e pret humbja.
Në fakt, një BDI e re, pa njollat e së kaluarës, është e mirëpritur në
këtë garë zgjedhore. Sa më shpejt të ndodhë ky reformim, aq më mirë për
demokracinë dhe për shqiptarët, por edhe për vetë BDI-në. Nuk ka
demokraci të vërtetë pa garë të ndershme dhe nuk ka garë të ndershme me
Ali Ahmetin në krye të BDI-së.
BDI-ja e deritanishme, e korruptuar dhe e lidhur me të kaluarën e errët,
është e paqëndrueshme. E ardhmja e saj nuk mund të mbetet peng i një
njeriu të vetëm. Nëse BDI dëshiron të mbijetojë, Ahmeti duhet të
largohet dhe t’i hapë rrugë një partie të reformuar, që e respekton
procesin demokratik dhe garon me besueshmëri”, deklaroi Ibrahimi.