Hapet tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e rrugës së Arbrit

Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit. Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në hapjen e Tunelit të Murrizit pati interesim të madh të qytetarëve. Ata mirëpritën këtë projekt që siç thanë, është ngjarje e jashtëzakonshme e mrekulli e madhe.

Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për Veriun.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

 

Marketing