Gjatë gjithë ditës së sotme, një numër i madh autoambulancash hynë në Qendrën Klinike të Shkupit me persona të lënduar nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan. Mirëpo, disa nga automjetet kanë dërguar të plagosur rëndë për mjekim jashtë vendit.
Bullgarët, grekët dhe serbët ishin të parët që ofruan ndihmë dhe turqit u bashkuan me ta. 13 pacientë kanë shkuar tashmë jashtë vendit. Në Bullgari shumica e tyre janë larguar me avion, një pjesë me ambulancë, ndërsa në Nish dhe Selanik me ambulancë.
Përndryshe, numri i pacientëve kritikë është rritur gjatë ditës nga 18 në 20 persona. Taravari bëri të ditur se ky numër është rritur, por pa specifikuar se sa. Në spitalet në Maqedoni po trajtohen gjithsej 117 pacientë, 73 prej të cilëve në Shkup. Shtabi i Krizave Shëndetësore vendosi që disa nga pacientët të dërgohen jashtë vendit, në mënyrë që në spitalet e Shkupit të ketë hapësirë të mjaftueshme për pacientët që do të vijnë nga spitalet e Koçanit dhe Shtipit.
“Për shkak se këto janë djegie që mund të komplikohen në ditët në vijim, këshilli i mjekëve mendoi se do të ishte mirë që në Shkup të lirohej vend për të gjithë pacientët, ndërsa më kritikët të dërgohen jashtë vendit”, tha Sasho Klekovski, drejtor i FSSH.
Përveç ndihmës në objektet spitalore, Maqedonia mori ndihmë edhe nga mjekë ekspertë në trajtimin e pasojave të djegieve. Çekia, Izraeli dhe Serbia kanë dërguar ekipet e tyre, të cilët do të ndihmojnë mjekët vendas. Ndihmë është ofruar edhe nga Italia, Holanda, Belgjika, Shqipëria dhe Kosova, por tani për tani, sipas autoriteteve shëndetësore, nuk ka nevojë për këtë.