Paraburgim për 14 të dyshuar për tragjedinë në Koçan

Gjykatësi i procedurës paraprake i caktoi “paraburgim afatshkurtër” prej 48 orëve ish ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski dhe edhe 12 personave të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.

“Gjykata në Koçan e pranoi kërkesën e prokurorisë pas propozimit për caktimin e masës paraburgim afatshkurtër për të gjithë 14 personat e dyshuar. Është shqiptuar masa paraburgim afatshkurtër në kohëzgjatje prej 48 orëve”, informuan mëngjesin e sotëm për MIA-n nga Gjykata Themelore Koçan.

Siç shtojnë, Gjykata vepron sipas propozimeve të Prokurorisë, lidhur me zjarrin në “Puls” në Koçan, në të cilin jetën e humbën 59 persona, ndërsa 155 janë lënduar.

Prokurori shtetëror publik, Lupço Kocevski dje në konferencë për media njoftoi se lidhur me aksidentin në klubin e natës “Puls” në Koçan punohet në procesim urgjent të 14 të dyshuarve. Ai informoi se dyshohen për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 të Kodit Penal me dënim me burg prej të paktën tre vjet pa kufi të epërm të dënimit, që mund të lëvizë deri 20 vjet. Njëherësh, tha se hetohen veprime të pranimit dhe dhënie të ryshfetit si dhe furnizim i jashtëligjshëm i mjeteve piroteknike.

“Gjithsej deri në këtë moment po punohet për procedimin urgjent të 14 personave të siguruar nga veprimet tona deri në këtë pikë. Sa i përket këqyrjes, mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe dëshmitë e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe po vijojnë analizat shtesë dhe ekspertizat nga zona përkatëse”, tha ai, duke shtuar se ka mundësi që gjatë kësaj jave të inicohet një procedurë hetimore”, deklaroi Kocevski.

Në PTHP Koçan në lidhje me tragjedinë mbrëmë u morr në pyetje ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe edhe një person. Paraprakisht u mor në pyetje edhe kryetari i Koçanit, Lupço Papazov, dhe siç bëri të ditur Prokuroria do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

“Është marrë në pyetje kryetari i cili dha sqarime dhe njohuri të caktuara. Rrëfimi i tillë zbatohet me materialin e dëshmive dhe kompetencat e komunës, pas çka do të merret vendim për statusin e mëtutjeshëm në procedurë”, informuan nga Prokuroria.

Sipas hetimit të deritanishëm të institucioneve, në diskotekë nuk ka pasur rrjet hidrant dhe mjaftueshëm aparate kundër zjarrit, në të ishin shfrytëzuar jashtëligjshëm materiale piroteknike, nuk ka pasur licencë të ligjshme për punë dhe nuk ishte lidhur marrëveshje me shkrim ndërmjet organizatorit dhe grupit muzikor.

Marketing