Zjarrfikësit në Ukrainë po përballen me një zjarr të madh në zonën përreth centralit bërthamor të Çernobilit, i cili, sipas njoftimit të sotëm të Shërbimit Kombëtar të Ukrainës për Menaxhimin e Situatave të Jashtëzakonshme, është shkaktuar nga rënia e dronëve ukrainas.
Autoritetet njoftojnë se niveli i radioaktivitetit në këtë zonë po monitorohet vazhdimisht për shkak të katastrofës së vitit 1986 dhe se, për momentin, ai ndodhet brenda kufijve normalë.
Në njoftimin zyrtar janë dhënë edhe detaje për kapacitetet e angazhuara në terren për lokalizimin e flakëve.
“Për momentin, ekipet e shpëtimit të Shërbimit Shtetëror për Situata të Jashtëzakonshme, si dhe zjarrfikësit, po punojnë në vendngjarje. Gjithsej, më shumë se 200 persona dhe rreth 60 njësi të pajisjeve speciale janë përfshirë në shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim, transmeton Ukrainska Pravda.
Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar gjithashtu se ekziston rrezik real për përhapjen e shpejtë të zjarrit për shkak të kushteve specifike në terren.
Si faktorë kryesorë të këtij rreziku përmenden temperaturat ekstreme, mungesa e reshjeve për një periudhë të gjatë, si dhe kontaminimi i kësaj zone të veçantë me mjete shpërthyese. / Aktuale.mk
