Koreja e Veriut paralajmëron SHBA-në: Armët bërthamore janë garanci absolute e sovranitetit tonë
Koreja e Veriut i ka dërguar një tjetër paralajmërim Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se nuk do të ndalë forcimin e arsenalit të saj bërthamor për sa kohë, sipas Phenianit, “politika armiqësore” e Washingtonit mbetet e pandryshuar.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, të transmetuar nga agjencia shtetërore KCNA, Pheniani i cilësoi armët bërthamore si një “garanci absolute” për sovranitetin e vendit.
Autoritetet e Koresë së Veriut theksuan se kapacitetet e saj bërthamore do të vazhdojnë të forcohen, duke sinjalizuar se nuk ka ndërmend të ndryshojë kursin e saj strategjik.
Në deklaratë, Koreja e Veriut argumentoi se nuk ka arsye për të pritur një de-përshkallëzim të tensioneve në rajon.
Pheniani përsëriti se qëndrimi i tij ndaj Shteteve të Bashkuara mbetet i pandryshuar dhe e lidhi vazhdimin e programit të tij bërthamor me atë që e konsideron politikë armiqësore të Washingtonit.
Në shënjestër stërvitjet ushtarake SHBA-Japoni-Kore e Jugut
Koreja e Veriut kritikoi gjithashtu stërvitjet e ardhshme të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut, duke i cilësuar ato si një kërcënim për sigurinë e saj dhe për stabilitetin e rajonit.
Tre vendet kanë planifikuar një tjetër stërvitje të përbashkët në shtator, e cila do të fokusohet në gatishmërinë për t’u përballur me kapacitetet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.
Sipas autoriteteve në Seul, stërvitja “Freedom Edge” do të zhvillohet në ujërat ndërkombëtare në jug dhe lindje të ishullit Jeju.
Stërvitja do të përfshijë, ndër të tjera, skenarë për përballimin e kërcënimeve me raketa dhe armë bërthamore nga Koreja e Veriut.
Deklarata e re e Phenianit vjen në një kohë kur Washingtoni duket se po përpiqet të rikthejë dialogun me Korenë e Veriut.
Megjithatë, deri tani nuk është shënuar ndonjë përparim konkret në këtë drejtim.
Tensionet në Gadishullin Korean mbeten të larta, ndërsa programi bërthamor dhe zhvillimi i raketave nga Pheniani vazhdojnë të jenë një nga çështjet kryesore të sigurisë në Azinë Lindore. /
Aktuale.mk
