A do t’i lejohet hyrja në Kosovë Aleksandar Vuçiqit? Flet Behgjet Pacolli

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar vizitë në Kosovë më 9 shtator.
Mirëpo ai deri më tani nuk ka bërë kërkesë zyrtare për të hyrë në Kosovë, kështu tha për lajmi.net ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Marketing

Ministri Pacolli tha se janë duke e trajtuar këtë situatë ani pse nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Serbia që presidenti serb t’i lejohet hyrja në Kosovë.

“Jemi duke e trajtuar këtë situatë. Deri tash nuk ka mbërri asnjë kërkesë, në momentin kur të jemi të qartë me këtë do të flasim”, ka thënë ai.

Marrë parasysh ndalesat e fundit që ka bërë Serbia ndaj zyrtarëve të Kosovës por edhe qytetarëve, e rasti i fundit ishte ai i ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islamit. Atij iu ndalua hyrja në Serbi dy herë.

Megjithëkëtë Serbia më 21 korrik i kishte refuzuar kërkesën për të hyrë në Serbi, konkretisht në Novi Pazar, si zëvendëskryeministër dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

Pas këtyre rasteve, ministri Pacolli i pati thënë lajmi.net do të ketë reciprocitet edhe për delegacionet e Serbisë kur do kërkojnë të vijnë të bashkëkombësit e tyre në Kosovë.

“Ata më kanë refuzuar, normalisht që ne do të kërkojmë që të vihet njëfarë reciprociteti edhe për delegacionet e tyre që vijnë këtu në Kosovës që t’i vizitojnë bashkëkombësit e tyre, sepse edhe ne i kemi bashkëkombësit në anën tjetër të kufirit, andaj duhet të ekzistojë njefarë reciprociteti”, pati thënë ndër tjera ministri Pacolli për lajmi.net.

Mirëpo, si do të veprojë tani Ministria e Punëve të Jashtme, a do t’i lejohet hyrja në Kosovë presidentit serb? Për ministrin Pacolli kjo nuk do të duhej të ndodhte, mirëpo ai i frikësohet obligimeve ndërkombëtare.

“Sa i përket Ministrisë nuk kemi me bë lëshime, por janë disa rregulla të cilat dalin prej obligimeve që kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare dhe po frikësohem se në bazë të atyre rregullave duhet të bëjmë lëshime”, ka thënë ai.

Kujtojmë se më 9 shtator kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ​​tha se Vuçiq prezanton planin shtetëror për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. /Lajmi.net/