Ballina Lajme Maqedoni A do t’i merren Merkos kompetencat në arsim?

A do t’i merren Merkos kompetencat në arsim?

Ministria e Arsimit nuk konfirmon dhe as mohon nëse Ramiz Merkos do t’i merren kompetencat në arsim, pas serisë së akuzave ndaj tij për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla fillore të komunës. Thonë se këto ditë janë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në disa shkolla komunale.

Marketing

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të veprojë pas pranimit të procesverbalit nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit për inspektimet e kryera në shkollat e Strugës”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Ndërkohë ndaj Merkos janë aktive tetë akuza, pesë prej tyre për emërime të paligjshme të drejtorëve. Akuza e fundit është ngritur dje për emërimin e paligjshëm të u.d. drejtor në shkollën e fshatit Ladorishtë. Numri i madh i kallëzimeve penale shtron pyetjen nëse ai duhet të vazhdojë të jetë kryetar komune për shkak të rrënimit të kredibilitetit.

“Në ligj ka dispozitë ku bëhet fjalë për humbjen e funksionit nëse kryen vepër të caktuar penale. Është diçka që duhet analizuar dhe parë. Mirëpo, ajo që është ana morale e këtij problemi dhe që qytetarët e presin jo vetëm për këtë kryetar komune, por për të gjithë ata që janë në listën e zezë, nuk ka luajtur asnjë rol. Kjo është diçka që duhet vlerësuar shumë dimensioni moral dhe pyetja është nëse në një situatë të tillë njeriu nuk mendon për sjelljet personale”, deklaroi Margarita Caca Nikolovska – ish gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ligji mbron kryetarët e komunave nga shkarkimi para përfundimit të mandatit të tyre.

“Qoftë si i zgjedhur, pavarësisht nëse ka apo jo përgjegjësi penale, në një situatë të caktuar mund të shkarkohet, siç është rasti me deputetët apo personat e tjerë të zgjedhur. Me kryetarët e komunave një gjë e tillë është e pamundur dhe mendoj se në ndryshimet e ardhshme ligjore në pjesën e elementeve zgjedhore duhet të parashikohet mundësia e shkarkimit të tyre, pasi ekziston mundësia e shkarkimit të të gjithë personave të tjerë publikë”, shtoi Margarita Caca Nikolovska – ish gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Pirinski dje ka paralajmëruar ndryshime në ligjin njëzet vjeçar për vetëqeverisje lokale me mundësi të shkarkimit të kryetarit të komunës. /Alsat.mk

Marketing
Exit mobile version