Ballina Lajme Maqedoni A ka pasur mbushje të kutive në rrethin e parë zgjedhor? Mickoski...

A ka pasur mbushje të kutive në rrethin e parë zgjedhor? Mickoski akuzon, Osmani e mohon

Dy koalicionet opozitare, si ajo shqiptare por edhe ajo maqedonase, akuzojnë BDI-në dhe Frontin Europian se kanë kryer vjedhje të votave gjatë rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, njoftoi se kanë dërguar listë të vendvotimeve deri te OSBE ODIHR ku dyshojnë se ka patur mbushje të kutive dhe ku nuk kanë funksionuar pajisjet për identifikim. Ata kanë kërkuar të shtohet prania policore në ato vendvotime, duke përmendur komunat e Sarajit, Likovës dhe Haraçinës.

Marketing

“Nëse më pyetni për parregullsitë zgjedhore të cilat ndodhën në rrethin e pare zgjedhor e për të cilat shkaktare ishte BDI, unë pres një gjë e tillë të ndodhë edhe në rrethin e dytë. Kryesisht bëhet fjalë për në Saraj, Likovë dhe Haraçinë e kështu me radhë. Ata tani derdhin shuma të majme të parave sepse i dimë këmbimoret se ku derdhen ato shuma të parave dhe në këtë mënyrë duan të jenë pjesë e Qeverisë e më pas t’i kthejnë ato shuma të parave”, tha Mickoski.

Por për Bujar Osmanin nga Fronti Europian, këto qëndrime të Mickoskit janë të dedikuara për shqiptarët dhe jo për BDI-në. Mohon të ketë patur mbushje të kutive nga ana e BDI-së dhe Frontit Europian.

“Kjo ka nisur, fillimisht z.Mickoski tha se ka një banesë ku mblidhet armatim në Butel. Kjo është pjesë e atij nacionalizmi eufemistik që unë I them, për t’I quajtur shqiptarët se vjedhin vota, shqiptarët janë ata të korruptuarit por do e quajmë për shkak korrektësisë politike BDI. Nuk ka diçka të tillë”, vlerëson Osmani.

Ndërkohë Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, paralajmëron se që tani, të gjithë ata që ndërmarrin veprime të tilla, pra për mbushje të kutive, do të përgjigjen para organeve gjyqësore.

“E shohim se këto ditë pati vendim edhe nga gjykata administrative që konstatoi vjedhjen që ndodhi në Likovë ku shfrytëzoj rastin, se të gjithë ata do të mbajnë përgjegjësi para Gjykatës dhe organeve. Kjo është apel se secili që do të ndërmerr një hap të tillë, kësaj radhe nuk do t’I falet por do të ballafaqohet me drejtësinë”, shton Mexhiti.

Përndryshe ditë më pare Gjykata Administrative pranoi ankesën e koalicionit VLEN për parregullsi në vendvotimin 1112/1 në Likovë, për mbushje të kutisë. Nga VLEN thane se këtë e ka bërë njeri i afërt i bartësit të listës në zonën 2 nga radhët e Frontit Europian, Sadulla Duraku

Exit mobile version