Ballina Lajme Maqedoni A po i pengon shqipja Jovanovskës? Grubi: Burri i saj s’ka çfarë...

A po i pengon shqipja Jovanovskës? Grubi: Burri i saj s’ka çfarë kërkon në atë institucion

Presion ndaj të punësuarve, përpjekje për degradim të përdorimit të gjuhës shqipe dhe përzierje e bashkëshortit të drejtoreshës në punën e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor. Këto janë pretendimet e të punësuarve të Fondit, të cilët nuk duan të flasin para kamerës.. E pyetur për këto ngjarje drejtoresha Biljana Jovanovska thotë se mbishkrimet nuk kanë qenë zyrtare dhe janë vendosur pa miratim.

Marketing

“Nuk është e pranueshme të vendosen mbishkrime me përmbajtje dhe në vende sipas dëshirës personale nga çdo i punësuar në veçanti. Organet kompetente të vërtetojnë nëse mbishkrimet e hequra janë vendosur në përputhje me rregullat ligjore”, tha Biljana Jovanovska – Drejtoreshë e FSPI.

Jovanovska flet edhe për ankesat e punëtorëve për presione si dhe për praninë e bashkëshortit të saj në Fond edhe pse ai nuk ka asnjë funksion aty!

“Nëse dikush për presion i merr kërkesat e mia që të zgjidhen lëndët në kohë ligjore me qëllim që të mos pësojnë qytetarët dhe urdhri që të respektohet rendi i punës dhe disiplina, nuk kam koment. Burri im ka ardhur sepse unë e kam kërkuar”, u shpreh Biljana Jovanovska – Drejtoreshë e FSPI.

Për këto çështje, TV21 pyeti edhe zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, i cili pohon se këtë çështje sot e ka biseduar me Kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa shton se bashkërisht do ta shqyrtojmë, duke parë edhe konfirmimin e të gjitha raportimeve dhe deklaratave të të punësuarve.

“Do ta shqyrtojmë bashkërisht, ta shohim konfirmimin e të gjitha këtyre pretendimeve të mediave dhe të të punësuarve dhe më pas gjithsesi se do të ndërmerren masa edhe ndaj një sjelljeje të pretenduar të tillë. Bashkëshorti i saj nuk ka vend pune në atë institucion dhe nuk ka se çfarë kërkon dhe në veçanti nuk ka mundësi që të jep udhëzime për të punësuarit e tjerë në Fondin Pensional”, deklaroi Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.

Sa i përket respektimit të gjuhës shqipe, Grubi ftoi Drejtorin e Inspektoratit Fatmir Isenin që të merret me këtë çështje qysh sot, por ky inspektorat ende nuk mund të veprojë në terren. TV21 kontaktoi me Drejtorin Iseni i cili shkurt ripërsëriti atë që dihet tashmë disa muaj, se inspektorët ende po trajnohen dhe nuk kanë licenca, ndërsa të njëjtat pritet t’i marrin të paktën pas 9 muajve.

TV21 sot mundi të vërtetojë vetëm se tabela kryesore në hyrje dhe në korridorin e parë të Fondit, ishin edhe në gjuhën shqipe. Por zbatimi i dygjuhësisë nuk përfundon këtu, sepse duhet vërtetuar edhe puna brenda institucionit, që Inspektorati ende nuk po mundet ta bëjë.

Para se Jovanovska të emërohej Drejtore e fondit pensional, ajo ka qenë drejtoreshë e Agjencisë për Punësim. E se këtu nuk ka pasur vullnet për ta zbatuar dygjuhësinë e dëshmon edhe drejtori i ri i Agjencisë, Abdush Demiri.

“Ka edhe shumë punë për tu bërë, pikërisht për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, si institucion ngec, gjithsesi ndër prioritete tona do të jetë edhe kjo”, tha Abdush Demiri – Drejtor i Agjencësi për Punësim.

Biljana Jovanovska është kryetare e Partisë për Ndryshime Ekonomike. Ka qenë drejtoreshë edhe në kohën kur në pushtet ka qenë VMRO-DPMNE-ja ndërsa lidhja e saj me LSDM-në nisin në 2015-tën kur lidhën koalicion. As atëkohë e as në zgjedhjet e fundit partia e saj nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti, megjithatë Jovanovska vazhdon të mbetet partnere koalicioni e Zaevit.

Exit mobile version