Lëndët e PPS-së janë në duart e Joveskit. Është më se e sigurte se një pjesë e të dyshuarve në këto lëndë do të shpëtojnë nga dënimi. Një prej tyre është edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili është i dyshuar në lëndën Trajektorja, për provizionet kineze.
“Sot të gjithë do të jemi dëshmitarë si Gruevski ka dakorduar përqindje dhe provizione me milion euro, si ka bërë sulme joligjore në procedurat për tenderë, ka favorizuar dhe ka kurdisur që firma të caktuara të marrin tenderë, pa pikë ndjenja ka kurdisur që edhe njerëz të shkelin ligjet për interesat dhe qëllimet e tij, si ka vjedhur me miliona euro para të popullit përmes tenderëve për hekurudha dhe autostrada”, deklaroi Zoran Zaev.
Kështu lideri i atëhershëm i opozitës, ka akuzuar se ka vjedh Gruevski, por nëse deri më 10 tetor nuk ka aktvendim për këtë, Gruevski do të shpëtoj nga dënimi me burg për rastin “Trajektorja”, për shkak se lënda vjetrohet.
Mundësia që të kemi aktvendim deri më 10 tetor, gati se nuk ekziston, thotë avokati Janaki Mitrovski.
“Konkretisht për të akuzuarin, Nikolla Gruevski, nuk ekzistojnë shanse teorike që të kemi aktvendim deri më 10 tetor. Kjo nuk vlen edhe për të akuzuarit e tjerë të cilëve në vitin 2023 u vjetrohet kjo lëndë konkrete”, tha Janaki Mitrovski.
Nikolla Gruevski është i akuzuar në gjithsej gjashtë raste, ndërsa aktvendim ka vetëm për lëndën “Tanku”, ku për blerje të “Mercedesit” luksoz, në vlerë prej 600 mijë eurove, është i dënuar me dy vjet burg. Ai është i akuzuar edhe në “Titanik”, “T.N.T.”, “Dhunë në Qendër”, “Trajektorja” dhe “Talir”. Në disa prej këtyre lëndëve ish-kryeministri është i akuzuar për vepra për të cilat dënimi është mbi 10 vjet burg. Tani për tani nuk ka epilog për asnjë prej këtyre rasteve, ndërsa për shembull, gjykimi për funksionimin joligjor të VMRO-DPMNE-së, “Talir” është në fillim.
Fati i të gjitha hetimeve të hapura pas qershorit të vitit 2017 dhe akuzat e ngritura pas kësaj date, do të varen nga ajo se si do të implementohet mendimi parimor juridik i dhënë nga Gjykata supreme, sipas së cilit, PPS nuk mund të jetë përfaqësues i akuzave pas kësaj date. Parashikimet më ekstreme shkojnë deri aty që mund të bie në ujë i gjithë rasti “Perandoria” por edhe lëndë të tjera si “Banka postare”, “Dhurata”, “Stacionet bazë”, “Dizajn” etj.
Në sirtarët e PPS-së mbetën edhe 19 hetime për të cilat nuk janë parashtruar aktakuza.