Aaron Wan-Bissaka tërhiqet nga skuadra e Anglisë për ndeshjen me Kosovën

Mbrojtësi i djathtë i Manchester United, Aaron Wan-Bissaka, është tërhequr nga skuadra e Kombëtares së Anglisë për shkak të një lëndimi në shpinë dhe si pasojë do të mungojë kundër Kosovës më 10 shtator.

Marketing

Wan-Bissaka, i cili ishte thirrur për herë të parë në ekipin senior të Anglisë, do të mungojë kundër Bullgarisë dhe Kosovës në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Anglia do të përballet me Bullgarinë, para se ta presë Kosovën në stadiumin e Southamptonit St. Mary’s të martën më 10 shtator.

Ai është rikthyer në Mançester për ta vazhduar rikuperimin në klubin e tij.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, nuk planifikon ta thërrasë ndonjë zëvendësues për të, sipas mediave në ishull, sepse tashmë i ka dy mbrojtësit e tjerë të djathtë, Trent Alexander-Arnold të Liverpoolit dhe Kieran Trippier të Atletico Madridit, në skuadrën e tij prej 24 futbollistëve.

Për 21-vjeçarin kjo është një goditje e rëndë, pasi ai mezi po e priste ndeshjen e parë për Kombëtaren A të Anglisë.

Southgate e kishte lënë jashtë listës zgjedhjen e parë, Kyle Walker të Manchester City, në mënyrë që t’iu jepte mundësi Wan-Bissaka dhe Alexander-Arnold të luanin në kualifikues e Euro 2020.