ABC News: Ali Ahmeti “president moral” i Maqedonisë së Veriut

Në emisionin “Byro Politike”, televizioni ABC News i ka kushtuar vëmendje zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, një nga zhvillimet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, ku një pjesë e mirë e popullatës atje, përbëhet edhe nga shqiptarët.

Marketing

“Duket se vota e shqiptare edhe në këto zgjedhje ka qenë vendimtare. Sipas rezultateve në këto zgjedhje, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut do të jetë Stevo Pendarovski, i konsideruar si kandidati proeuropian.

Të ftuar për të komentuar në studio me moderatoren Juli Xhokaxhi, në lidhje me këtë çështje, kanë qenë njohës të mirë të çështjeve të rajonit, Lisien Bashkurti, diplomat e studiues, Agim Nesho, diplomat, Arben Çeku ish-ambasador në Maqedoni dhe Ilir Kalemaj, politolog dhe ekspert i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Juli Xhokaxhi, drejtuesja e emisionit i ka pyetur të ftuarit nëse Pendarovski do të bënte diçka për faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut?

Në lidhje me këtë pyetje ata ishin në të njëjtën linjë.

Çeku tha se për të vlerësuar pritshmëritë e Pendarovskit duhet të shohim sa kompetenca ka, figura evropianiste e tij do jetë në favor të Maqedonisë së Veriut.

“Këtë herë që pati votën e shqiptarëve u zgjodh president ndërsa në zgjedhjet e kaluara prej faktorit shqiptar nuk arriti dot fitoren. Fitoren më të madhe ja ka dhënë komuniteti shqiptar e sidomos Ali Ahmeti. Presdienca e Pendarovskit do jetë relaksuese dhe me perspektivë për vendin“, tha Çeku.

Ndërkaq, diplomati Bashkurti lidhur me këtë tha se shpreson që të jenë lojal me kushtetutën, e jo si paraardhësit e tij, sidomos Ivanov.

“Bakgraundi i presidentit të sapozgjedhur do të ndikojë në relaksimin e situatës në Maqedoni. Është i pari president që zgjidhet nga një votë multietnike“, tha Bashkurti.
Ndërkaq, Agi Nesho tha se sigurisht se kjo do të thotë mbyllje të ciklit të integrimit.

“Me zgjedhjen e presidentit të ri, nga formimi i tij, perspektiva e Maqedonisë do të jetë premtuese. Kur interesat qytetare prevalojnë atëherë edhe proceset e tjera do të evolojnë”, tha Nesho.

Për politologun Kalemaj, Pendarovski nuk është kandidatura perfekte.

“Patjetër shihet me optimizëm jo se është perfekt, por kandidatura më e mirë e mundshme. Deri tani Maqedonia ka qenë e ngrirë për sa i përket integrimit. Presidenti i ri është figurë mjaft e mirë, vjen me eksperiencën e duhur akademike”, u shpreh ai.
Në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin Byro Politike ka qenë dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, një nga politikanët më influent në Maqedoninë e Veriut.

Juli Xhokaxhi e ka pyetur Ahmetin nëse ka patur kushte për kalim të votave në këto zgjedhje presidenciale, ndërsa Ahmeti ka mohuar këtë fakt duke theksuar se nuk është tregtar politik, asnjëherë nuk ka bërë marrëveshje kushtëzuese, por gjithmonë ka qenë me parime.

“Mua dhe shqiptarëve na ka rezultuar shumë më mirë kjo formë se sa të merremi me vogëlsira të tipit ‘na vota-merr vota’. Sa u takon të drejtave të shqiptarëve, presidentin e kushtëzon Kushtetua e Republikës së Maqedonisë, ai ka detyrim për zbatim me përpikmëri të atij dokumenti të rëndësishëm. Presidenti në ikje që ne nuk e kemi pranuar si të tillë, na ka vënë përpara shumë vështirësive siç ishte dhe ligji për vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, por edhe atë e kaluam sepse e risollëm për votim dhe tashmë është botuar në fletoren zyrtare.

Tashmë shqipja është gjuhë zyrtare. Ka dhe të tjerë ligje që Ivanov nuk ka hedhur firmën e tij për sa i përket kërkesave të shqiptarëve por që jam i bindur se nuk kanë për tu përsëritur nga Pendarovski. Nuk besoj që do të kemi vështirësi në komunikim apo dhe për zbatim të normave të parashikuara në kushtetutë”, tha Ahmeti.

Ahmeti ka dhënë opinionin e tij në lidhje me deklaratën e Siljanovska.

“Këto janë ide arkakike të së kaluarës, por sigurisht në çdo cikël zgjedhor ka të dëshpëruar dhe të gëzuar, në këtë rast ka patur përplasje të koncepteve. Ne kemi vendosur standarte, të cilat na afrojnë shumë me integrimin në bashkimin europian. Duhet të japim prova që interesat madhore të na bashkojnë. Koha dëshmoi që Ivanov nuk ishte i duhuri dhe që ne kishim të drejtë. Të tjerat janë veç fjalë”, tha Ahmeti.
Një nga pikat më interesante të bisedës natën e sotme në Byro Politike ishte dhe deklarata e Ahmetit për problematikat e partive shqiptare në Maqedoni. Ai ka theksuar se nuk është e nevojshme që komuniteti shqiptar atje të përfaqësohet nga kaq shumë parti. Për Ahmetin kjo e dobëson faktorin shqiptar dhe e bën të parëndësishëm.

“Ekzistenca e shumë partive i dobëson shqiptarët dhe i bën të parëndësishëm. Unë kam bërë thirrje, për të qenë bashkë, mirëpo nuk kanë arritur të bëheshin bashkë të gjitha partitë dhe nuk kanë treguar shumë seriozitet. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë nevojë për më shumë se 1 apo dy parti, mirëpo kjo është demokracia. Ky organizim partish mes shqiptarëve u ka sjellë dëm shqiptarëve, në këto zgjedhje shqiptarët humbën 10 mandate, jam i keqardhur për këtë”, deklaroi Ahmeti.

Marketing