Avancimi i përfshirjes së organizatave qytetare në sektorin e arsimit, punësimit dhe politikës sociale ishte temë e takimit të sotëm të ministres së Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi me organizatat qytetare, organizuar me iniciativë të ministrave.
Në kuadër të Këtij grupi sektorial, informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), diskutohen, identifikohen dhe vendosen prioritetet në arsim, punësim dhe politikë sociale. Gjithashtu, sigurohet koordinim sektorial dhe i donatorëve në zbatimin e politikave nacionale.
“Besoj fuqishëm se politika të suksesshme krijohen vetëm me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve shoqërorë. Përmes grupit sektorial të punës bashkërisht sjellim vendime nga sfera e arsimit, punësimit dhe politikës sociale. Këtu janë përfshirë institucionet dhe organizatat nacionale relevante, donatorë, bashkësia e biznesit, organizatat qytetare dhe partnerët socialë”, porositi ministrja Carovska.
Përfshirja në sektorin qytetar, si dhe përfshirja e partnerëve socialë në Grupin sektorial të punës, sipas MPPS-së, veçanërisht është me rëndësi në këtë periudhë. Fillon faza e definimit të ciklit të ri të politikave, ndërsa vijon edhe procesi i planifikimit dhe programimit të ndihmës para anëtarësimit për periudhën pas vitit 2020, gjegjësisht programimin e IPA 3.
“Organizatat joqeveritare i shohim si mbështetës të fuqishëm jo vetëm në krijimin e politikave, por edhe në zbatimin e tyre dhe monitorimin e mëtutjeshëm të proceseve. Për këtë vlerësojmë se nevojitet përfshirja e organizatave joqeveritare me të cilat duhet të kemi bashkëpunim më intensiv”, theksoi ministri Ademi.
Komisioni Evropian ka definuar kornizë me pesë prioritete të cilat mund të financohen. Përmes punës së Grupit sektorial të punës do të definohen programet strategjike dhe të ardhshme aksionale.